“Rrugë të Sigurta, turizëm i sigurt”, Balla: Mbi 1600 policë në zonat turistike

Nga A2 CNN
24 Maj 2024, 13:16 | Politikë

Ministria e Brendshme, përmes Policisë, IKMT dhe Shërbimit Zjarrfikës, në funksion të mirëmenaxhimit të sezonit turistik po zbaton Planin Kombëtar “SAFE STAY IN ALBANIA”. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, deklaroi se vizioni “Shqipëria 2030”, ka në themelin e vet pakthyeshmërinë e progresit të arritur, ku spikat ai në turizëm, për ta bërë Shqipërinë kampione të Ballkanit me një siguri në nivelin më të lartë.

Në eventin “Rrugë të Sigurta, turizëm i sigurt”, ku morën pjesë zv.kryeministrja Belinda Balluku, ministrja e Mjedisit, Kumbaro, si dhe drejtues të institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese, Balla tha se prej muajit shkurt ka nisur operacioni i përbashkët i IKMT dhe Policisë së Shtetit, për të larguar vendgrumbullimet e mjeteve motorike nga anët e rrugëve kombëtare.

Më tej, ministri pohoi se Policia e Shtetit do të angazhojë me shërbim në zonat turistike e plazhe mbi 1600 punonjës policie, ku një pjesë e madhe janë nga Policia Rrugore.

Me gjithë numrin në ulje të aksidenteve rrugore, Balla apeloi për respektim të rregullave të qarkullimit për të shmangur fatalitetet në rrugë. Ai tha se në funksion të monitorimit të akseve rrugore, do të përdoren pajisje të teknologjisë së lartë si kamera, radarë e dronë. Ai përmendi një ndër projektet kryesore ku po punohet për rritjen e sigurisë rrugore, i njohur si “Smart City”, i cili do të nisë të zbatohet në qytetet e mëdha, apo përdorimin e inteligjencës artificiale.

Ndër masa e tjera, për lehtësimin e lëvizjes në dy krahët e kufirit, Ministri përmendi marrëveshjen me Kosovën.

Ndërsa si risi për këtë sezon e në vijim do të jetë “Trupa e Ndërhyrjes Teknike”, e cila parashikon bashkëveprimin dhe koordinimin mes shërbimeve të Urgjencës Mjekësore, Zjarrfikëses dhe Policisë së Shtetit, në raste ngjarjesh me pasoja.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Debat nga Alba Alishani