“Të hetohen edhe dy prokurorët e Xibrakës”, Bardhi del nga SPAK: Olsi Rama nuk shpëton me letra bakalli

Nga A2 CNN
24 Maj 2024, 10:47 | Politikë

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, në deklaratën e dhënë për mediat pasi u paraqit në Prokurorinë e Posaçme, sqaroi se ishte aty në cilësinë e personit në dijeni për çështjen “Xibraka”.

Ai tha se konfirmoi para hetuesve edhe njëherë provat dhe faktet që ka dorëzuar në kallëzimin e tij për laboratorin e kokainës, duke e nxjerrë këtë çështje nga sirtarët e organit të akuzës ku ishte pluhurosur prej 2018.

“Indiciet, provat dhe faktet i kam konfirmuar pranë Prokurorisë së Posaçme dhe sigurisht që seanca e marrjes në pyetje ishte vetëm një pyetje, nëse kisha gjë për të shtuar. Isha në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen. Siç ju e dini, kallëzues në dosjen e Xibrakës është prokuroria dhe policia e Hanoverit. Unë kam kërkuar rihapjen e këtij procedimi, që çuditërisht ishte pezulluar që në vitin 2018 dhe ishte harruar në sirtarët e Prokurorisë. Persona të përfshirë ishin cilësuar si të paidentifikuar dhe si pasojë nuk kanë marrë atë që meritojnë, sipas ligjit, përgjegjësinë penale për përfshirjen në laboratorin e Xibrakës. Rikonfirmova atë që kam sjellë dhe përcjellë me shkrim në datën 24 mars 2024.”

Në vijim, Bardhi kërkoi që të hetojë dy prokurorët që kanë hetuar për dosjen Xibraka, pasi sipas tij kanë lënë pa identifikuar kokat e laboratorit të kokainës, për t’u promovuar brenda sistemit të drejtësisë nga kryeministri Rama.

“Të hetohet edhe roli i dy prokurorëve që kanë pasur në dorë dosjen e Xibrakës. Është e pafalshme që një pjesë e grupit kriminal, ndoshta kokat e këtij grupi kanë mbetur të paidentifikuar nga Prokuroria. Ajo është çështje me rëndësi themelore publike, sepse bëhet fjalë për laboratorin e parë të kokainës në vendin tonë dhe duhet të kishte pasur një hetim serioz dhe të gjithanshëm nga prokuroria. Dy prokurorët zgjodhën të merrnin mbështetje nga Edi Rama për ecurinë e tyre në karrierë, në vend se të kryenin detyrën me korrektësi, në përputhje me ligjin për t'i shkuar deri në fund të vërtetës.”

I pyetur nëse ka një kallëzim të dytë nga Olsi Rama, kundër tij në SPAK, Bardhi tha se nuk ka interes për propagandën e ditës që bën vëllai i kryeministrit. Sipas tij, “letrat e bakallit” kanë për qëllim viktimizimin për t’iu shmangur hetimeve nga Olsi Rama, por as kjo taktikë nuk do e shpëtojë nga llogaridhënia para ligjit.

“Jo nuk ka informacion. Kam zero interes se çfarë bën Olsi Rama ose nxitet të bëjë nga i vëllai, për efekt të propagandës së ditës. Nuk mund të ketë kallëzim të rremë sa kohë informacioni që unë kam sjellë është cilësuar nga prokurorët e çështjes si i mjaftueshëm dhe e dhënë konkrete për të rihapur një procedim penal. Kallëzim të rremë është në tri rrethana ku dukshëm nuk ka krim, nuk ka vepër penale, apo ku sajohen provat. Nëse lexoni kallëzimin e Olsi Ramës, shihni se nga njëra anë më kallëzon për kallëzim të rremë dhe nga ana tjetër i kërkon prokurorit të më pyesë se ku i gjeta dokumentet që kam dorëzuar. Të paktën dy herë ka kryer ai kallëzim të rremë, por unë nuk merrem, pasi hetimi ndaj tij duhet të jetë i thelluar për laboratorin e kokainës në Xibrakë, që unë e kam përcjellë në SPAK. Kësaj çështje, nuk i ikën dot as me letra bakalli, as me propagandë dite dhe as duke bërë viktimën.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos