Shtyrja e hapjes së qendrave të emigrantëve në Shqipëri, Rama për “La Repubblica”: Është çështje e Italisë

Nga A2 CNN
24 Maj 2024, 08:24 | Politikë

Shtyrja e hapjes së qendrave të emigrantëve në

“Shqipëria ofroi disponueshmëri dhe tokë, por asgjë më shumë”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama për moshapjen në kohën e parashikuar të dy qendrave për pritjen e emigrantëve në Shëngjin. Në një intervistë për gazetarin e “La Repubblica”, Gerardo Greco, kreu i qeverisë shqiptare ia faturoi përgjegjësinë mosrealizimit në kohë të këtij projekti, qeverisë italiane.

Hapja e dy qendrave për pritjen e emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër, ishte planifikuar më 20 maj, por u shty për shkak se punimet nuk kishin përfunduar.

Për kryeministrin Edi Rama, problem do të jetë funksionimi i tij, pasi do të jetë shumë e vështirë për procedurat dhe menaxhimin e 3 mijë personave në 28 ditë me burokracitë italiane dhe rregullat europiane.

“Qendra do të jetë gati për disa muaj gjithsesi, kjo nuk është asgjë! Por problemi do të jetë funksionimi i saj! Dhe do të jetë shumë e vështirë për procedurat: si do të menaxhoni 3000 persona në 28 ditë me burokracitë italiane dhe rregullat europiane?”

Marrëveshja për emigrantët e Italisë me Shqipërinë u prit me kundërshti nga opozita e të dyja vendeve.

30 deputetë të opozitës e dërguan çështjen në Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se marrëveshja Rama-Meloni shkel Kushtetutën, por që u hodh poshtë nga ky institucion.

Më 22 shkurt, marrëveshja u ratifikua në Kuvendin e Shqipërisë në një seancë të zhurmshme dhe që zgjati vetëm 10 minuta me 77 vota pro. Votave të Partisë Socialiste iu bashkua edhe PDIU.

Ndërsa më  herët më 15 shkurt, senati italian e miratoi projektligjin për ratifikimin e protokollit Itali-Shqipëri, për marrëveshjen e strehimit të emigrantëve, me 93 vota pro dhe 61 kundër.

Sipas marrëveshjes, emigrantët do të zbarkojnë në portin e Shëngjinit dhe do të qëndrojnë në kampin e Gjadrit, gjatë periudhës që kryhen procedurat për azil në Itali. Investimi me vlere 653 milionë euro po bëhet me fonde të qeverisë italiane, bazuar në marrëveshjen Rama-Meloni, firmosur në nëntor të vitit 2023.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos