Demokratët e Rithemelimit nuk bëjnë dallim mes të majtëve e të djathtëve kur vjen puna te mosbindja civile brenda Kuvendit. Këtë e provoi në kurriz opozitarja Flutura Açka e cila ndjek linjën e Lulzim Bashës. Përpjekja e saj për të mbledhur Komisionin parlamentar për Arsimin dhe Mjetet e Informimit Publik me praninë fizike të deputetëve, hasi në reagimin e ashpër të grupimit tjetër të demokratëve.
Insistimi i saj për të vijuar mbledhjen pavarësisht këtij sherri mes demokratësh, kaloi në akuza ndërmjet Gazmend Bardhit dhe Flutura Açkës. Përleshja ndërmjet tyre bëhej në sytë e socialistëve që duket se po shijonin shfaqen e radhës të ofruar nga kampi opozitar. Në finale grupimi i Bardhit ia arriti qëllimit, duke shkëputur fishën e transmetimit të komisionit.
Flutura Açka duket se nuk e kapërdiu sjelljen e kolegëve opozitarë dhe kërkoi të sqaronte se mbështeste kërkesat për komisione hetimore, por jo strategjinë e kaosit. “Personalisht e shoh si një gjest jo të mirë që të dalë të bërtas në komisione dhe të mos bëj detyrën time, t’i tregoj shqiptarëve se ku e ka plagën kjo qeveri”, tha ajo.
Në krah të Flutura Açkës doli Lulzim Basha ku në rrjetet sociale akuzoi për dhunë ndaj grave. “Turp për këta burrecë të vegjël që mendojnë se duke sulmuar zonjat me dhunë verbale, tregojnë forcë. Kjo vetëm provon se sa të dobët janë”, tha Basha.
Fjalët e Bashës nuk duket se nuk i tingëlluan mirë Bardhit, që gjithashtu u kundërpërgjigj duke folur për burrëri. “Tentativa për të provokuar me “normalitet të rremë” i kolegëve të opozitës, nuk mund të jetë kurrë strategjia e një opozitari. Ajo është vetë mstrategjia e një të paburri, që vetë rri në shtëpi e kujdeset të shtojë katet në kulla, ndërkohë që keqpërdor për fasadë të pazareve në kurriz të demokratëve, ndershmërinë e disa zonjave deputete, që vazhdojnë të besojnë gënjeshtrat e tij!”, tha Bardhi.
Për situatën e krijuar në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e informimit Publik reagoi edhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla e cila dënoi sjelljen e deputetëve Bardhi dhe Noka. (A2 Televizion)