Sherri me Bardhin dhe Nokën, Açka: Keqardhje! Duan ta mbajnë Parlamentin në kaos

Nga A2 CNN
17 Janar 2024, 12:08 | Politikë

Pas përplasjes së ashpër që pati me kolegët e saj demokratë në mbledhjen e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, kryetarja Flutura Açka foli për mediat nga ambientet e Kuvendit duke dënuar sjelljen e Gazment Bardhit dhe Flamur Nokës karshi saj.

U bëtë pjesë e një shfaqjeje jo shumë të hijshme. Opozita meriton komisionet hetimore dhe është detyrim kushtetues i mazhorancës që t’ia japë komisonet hetimore opozitës. Sa më shumë i vonon e majta është më keq për të sepse afron fundin e saj. Por duke parë në përgjithësi që parlamenti ka dalë nga aksi, mendova që ta fillonim këtë vit mbarë, sepse ka disa muaj që ne nuk themi dot fjalën tonë si opozitë. Sot përplasem me kolegët e mi që mendojnë se duhet ta mbajnë në kaos parlamentin. Personalisht, e shoh si një gjest jo të mirë dhe jashtë detyrës si deputete të dalë në rrugë e korridore, të bërtas në komisione. Më vjen keq që si pasojë e konfuzionit është përkeqësuar klima. Edhe shqiptarët i kemi irrituar me opozitën, i kemi irrituar me deputetët opozitarë. Jam e detyruar t'i bëj një thirrje publike zotit Bardhi dhe kujtdo tjetri, që insinuon në raport me mua dhe kolegë të tjerë që kanë vendosur për normalitetin e këtij parlamenti t’i drejtohen SPAK-ut dhe organeve kompetente".

E pyetur se përse vendosi të mbyllë mbledhjen pasi ia kërkoi deputetja socialiste Evis Kushi dhe refuzoi të njëjtën kërkesë të bërë nga Bardhi para se debati të degjeneronte në fyerje personale, ajo u përgjigj: “Vendimi ishte sugjerim i zonjës Kushi, por e kam marrë unë si kryetare”.

Sa i përket problemeve të brendshme në PD dhe çështjes së drejtuesit të Grupit Parlamentar, Açka tha se ajo mbahet peng nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla dhe mazhoranca e majtë.

Drejtimi i grupit paarlamentar pengohet personalisht nga zonja Nikolla. Për arsye të saj dhe arsye që gjen mazhoranca për të shpërbërë opozitën, nuk ia jep grupit parlamentar të drejtën për t’u drejtuar. Unë jam e deleguara, por drejtimi i grupit parlamentar i PD-së, i takon PD-së, asaj zyrtare. Duam s’duam ne, mund të mos jetë e vërteta, por kjo është e drejta. Sot kemi fiks 28 deputetë. Atyre iu sugjeroj t’i drejtoni mikrofonin dhe t’i pyesni, anëtarë të kujt partie jeni. Ata janë deputetë të PD-së të regjistruar nën firmën e zotit Basha. Unë nuk kam autoritetin të hyj në të drejtën e kolegëve të mi, por po ju them atë që është sot juridikisht. Juridikisht sot 27 deputetë janë në këtë parlament me firmën e zotit Basha." (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos