Socialistët miratojnë “online” për 22 minuta buxhetin 2024

Nga A2 CNN
16 Nëntor 2023, 12:52 | Politikë

“Shoh 10 duar të ngritura. Kundër kemi vetëm një. Atëherë projektbuxheti 2024 miratohet në parim”.

Mjaftuan vetëm 22 minuta që deputetët socialistë në një mbledhje “online” të miratonin në parim projektbuxhetin 103-faqësh për vitin e ardhshëm në Komisionin për Ekonominë dhe Financat.

Megjithatë, pavarësisht se e votuan në parim, vetë socialistët propozuan disa ndryshime para se ligji më i rëndësishëm i shtetit të miratohet nen për nen, duke filluar me taksën e karbonit. 

“Nga diskutimet e deritanishme, unë të paktën nuk jam i bindur për ndërhyrjen te taksa e karbonit e cila bie ndesh edhe me direktivat e Bashkimit Europian. Ka nevojë për rishikime”, tha Eduard Shalsi.

“Disa bashki kanë dërguar kërkesa pasi vlerësojnë si të nevojshme rishikimin e transfertës së pakushtëzuar”, deklaroi deputetja Dhima.

Duke mbështetur propozimet e Erion Braçes, ndryshime në paktën fiskale kërkoi edhe deputetja e Partisë Socialiste Pranvera Resulaj.

“Paketa Fiskale duhet të përmbajë heqjen e TVSH për mjetet higjenike të grave dhe lehtësi të tjera për to”, tha Resulaj.

Megjithëse vetëm 22 minuta, me praninë nga opozita vetëm të Edmond Spahos i cili zgjodhi të mos fliste fare, por vetëm të votonte kundër, socialistëve iu doli koha për të uruar njëri-tjetrin edhe për arritje në rrafshet personale.

Në një seancë të ngjashme në format, por që zgjati rreth 60 minuta, teksa deputetët e opozitës kapërcenin kangjellat e portës e parvazet e dritareve pasi garda u kishte mbyllur derën, socialistëve në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave miratuan të gjitha ndryshimet fiskale për vitin e ardhshëm.

 

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli