“Nuk shkel ligjet e BE”, Komisioni Europian “jep bekimin” për ujdinë Shqipëri-Itali

Nga Xhevahir Qardaku
15 Nëntor 2023, 19:38 | Politikë

“Nuk shkel ligjet e BE”, Komisioni Europian “jep

Komisioni Europian i jep dritën jeshile marrëveshjes për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë. Komisionerja për punët e brendshme, Ylva Johansson, u pyet lidhur me shqyrtimin ligjor të memorandumit dhe për vendimin e vitit 2018 të BE-së kundër këtyre marrëveshjeve, pasi në atë kohë Brukseli hodhi poshtë një plan të ngjashëm për transferimin e emigrantëve të zbarkuar për në Shqipëri.

“Sa i përket marrëveshjes aktuale mes Italisë dhe Shqipërisë, mund të them se është ndryshe nga ajo e vitit 2018. Vlerësimi fillestar nga shërbimi ynë ligjor është se nuk shkel ligjet e BE-së. Pra është jashtë ligjit të BE-së”, tha Ylva Johansson, Komisionere e BE për Punët e Brendshme.

Marrëveshja në fjalë ka marrë mjaft kritika nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë këtu edhe nga Këshilli i Europës, që këshilloi Shqipërinë dhe Italinë të mos e çojnë planin e tyre duke shprehur shqetësime për anën ligjore dhe atë humanitare. Edhe politika në Itali ka kundërshti të ashpër për memorandumin e firmosur nga kryeministrat Edi Rama dhe Giorgia Meloni më 6 nëntor. Opozita i ka shkruar kryetarit të dhomës së ulët, Lorenzo Fontana, për të kërkuar që “të respektohen plotësisht prerogativat e Parlamentit”.

Ata thonë se memorandumi për emigrantët mes Italisë dhe Shqipërisë jo vetëm që nuk do të ratifikohet nga Parlamenti, siç kërkon kryeministrja Meloni, por as nuk është dërguar në parlament apo senat. Opozita në letrën e saj ankohet duke nënvizuar se deputetët dhe senatorët kanë ndjekur prej ditësh draftet e shkëmbyer online përmes mesazheve, gjithashtu edhe lajme nga mediat shqiptare lidhur me këtë çështje, pasi nuk janë informuar nga qeveria për detajet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos