Prezantohet buxheti për turizmin, vëmendja tek investimet dhe promovimi

Nga Marinela Lina
14 Nëntor 2023, 10:33 | Ekonomi

Zëri i investimeve me një fond prej 8 milionë euro do të jetë kryesoj buxhetin për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për vitin 2024. Gjatë prezantimit të projektbuxhetit në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, ministrja Mirela Kumbaro lajmëroi dhe krijimin e një agjencie për menaxhimin e mbetjeve në vend.

“Projektbuxheti 2024  shtohet programi i mbetjeve, krijimi i nje agjencie te re qe do të ndjek menaxhimin e investimeve KFV dhe IPA”, tha Kumbaro.

Fokus në investimet që do të ndërmerren vitin e ardhshëm janë ndërhyrja në parqe, qendrat e vizitorëve por dhe pastrimi i plazheve.

“Po punohet për Planin e Menaxhimit të integruar të Parkut, si dhe për projektin e Qendrës së re të vizitorëve në Parkun Kombëtar të Vjosës. Nga ana tjetër, buxheti i aprovuar në zërin e investimeve i hap rrugë edhe investimit në reabilitimin e “Ngritjes së Infrastrukturës Turistike me theks tek ajo ujore Eco-Park Ulza. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Pyjeve po punojnë, shpalljen e vitit 2024 si “Viti i Pyjeve” për të cilën kemi parashikuar një investim prej 172 milion lekë”.

Rritet fondi për pastrimin e vijës bregdetare gjatë muajve të verës në 250 milion lekë. për vitin 2024 shtohen në këtë program edhe bashkitë Lezhë dhe Shkodër, krahas Durrësit, Kavajës, Rrogozhinës, Vlorës, Himarës e Sarandës, duke plotësuar kështu të gjithë vijën bregdetare me forca të shtuara pastrimi përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.

E ndalur tek bumi turistik në 8.9 milionë të huaj deri në tetor, ministrja Kumbaro tha se një buxhet i dedikuar do të alokohet për promovimin e Shqipërisë.

“Rritja e buxhetit në total me 300 milionë lekë vjen për të mbështetur pjesëmarrjen e Shqipërisë në panaire prestigjoze si ai i FITUR Madrid dhe ITB Berlin, organizimin në Tiranë të mbledhjes së 70 të Komisionit për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit, organizimin në Shqipëri të konventës së Konfederatës Franceze të Ndërmarrjeve të Udhëtimit”.

Teksa ka filluar puna për hartimin e strategjisë së re të turizmit 2024-2030, ministrja bëri të ditur se pritet të kalojë për miratim në Kuvend ligji për Turizmi.

Një turizëm gjithëvjetor, por edhe rritja e kontributit të turizmit në PBB në 32% deri në 2026, janë disa nga synimet kryesore të këtij sektori. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos