Hyn në fuqi ligji i ri për pensionet private, edhe bizneset mund të krijojnë fonde për punonjësit

Nga Marinela Lina
12 Nëntor 2023, 16:26 | Ekonomi

Biznese të ndryshme private mund të krijojnë fonde pensioni për punonjësit e tyre për të sjellë rritjen e pjesëmarrjes në këto skema private. I quajtur ndryshe “Fondi i pensionit me pjesëmarrje të mbyllur” është një nga risitë e ligjit për pensionet private, i cili hyri në fuqi ditët e para të nëntorit. 

“Ligji për herë të parë njeh edhe formën e fondit të pensionit me pjesëmarrje të mbyllur. Fondi me pjesëmarrje të mbyllur mund të krijohet nga një punëdhënës, disa punëdhënës, ose një entitet i organizuar si bashkim punëdhënësish, sindikatë, bashkime sindikatash apo shoqatë, në cilësinë e sponsorit të cilët krijojnë një fond pensioni me pjesëmarrje të mbyllur”, lexohet në ligj.

Përpjekjet për të shpëtuar skemën e pensioneve përmes privatit janë mbështetur dhe nga ministri i Financave, Ervin Mete, kur mbrojti ligjin që u prezantua në Kuvend: “Skemat private të pensioneve janë instrument i dobishëm për rritjen e kursimeve për pension, duke përmirësuar standardin e jetesës përmes ofrimit të një pensioni shtesë krahas pensionit të përfituar përmes skemës së pensioneve”.

Fondet e pensionit privat në vend shpjegojnë se ndërmarrja e një risie të tillë mund të nxisë qytetarët edhe më tej, nëse bëhet e detyrueshme si në shtetet e tjera. Elvis Ponari, kryetar i Shoqatës së Pensioneve Private, shprehet: “Benefitet fiskale do të jenë më të larta si për individin, ashtu edhe për punëdhësin. Ky është një produkt për punëdhënësin, ai ia paguan punëmarrësit një pagesë shtesë në mënyrë që mos t’ia rrisë rrogën se ka tatim. Kjo është pa tatim. Shpërblimin apo pagën e 13 ia derdh te kjo llogari apo dhe një shtesë mujore”.

Të dhënat nga AMF në fund të qershorit tregojnë se numri i atyre që po kontribuojnë për të pleqëruar me dinjitet arriti në 37 594 nga 36 518 që ishte në fund të vitit të shkuar. Skema e pensioneve private e ofruar nga 4 kompani është e përqafuar nga më pak se 3% e forcave të punës në vend.

Ponari thekson: “Duhet të ishte te 20-30%, duhet të kishin një fond pensioni privat të paktën me 1 000 lekë në muaj apo edhe në vit. Ta kesh në rastet se të ndodh diçka”.

Sipas Ponarit, niveli i lartë i pensioneve në vendet e tjera është pikërisht falë kombinimit të skemave publike dh private të kontributeve, ndërsa në Shqipëri përqafohet vetëm pensioni nga shteti dhe në nivele të ulëta ai nga privati. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos