Operacioni i SPAK në banesën e kryebashkiakut të Tiranës për Sali Berishën është kryer për shkak të revoltës popullore.
Lideri i Partisë Demokratike pohoi se Veliaj ka imunitet nga SPAK dhe shtoi se Altin Dumani është në konflikt interesi me qytetarin e parë të Tiranës.
“Kur e gjithë Shqipëria fliste për ta, nuk paskan gjetur ata një mënyrë për të pastruar telefonat. Është një operacion i diktuar nga revolta popullore, mosbindja civile. Jo pa konflikt interesi është edhe vetë Altin Dumani, i cili e ka si nip të gruas, një bashkëpunëtor të ngushtë, një Klajdi Meçe, të Erion Veliajt”, tha Berisha.
Berisha gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, iu rikthye akuzave për vëllain e Kryeministrit Rama të cilin e konsideron të përfshirë në dosjen “Xibraka”.
“Edi Rama dje dukej se kishte marrë garanci nga Skapi i partisë se Olsin e tij do e nxjerrin qelibar. Olsi është një trafikant me çizme. Çfarë e shtyu Olsin të kalojë në Morinë në ditën e arrestimit të kolumbianëve me makinë pa targë? Pse Olsi kishte frikë o zoti Rama dhe hiqte targën e makinës?”, u shpreh Berisha.
Teksa një ditë më parë e quajti hipokrizi vullnetin e maxhorancës për të falur gjobat për qytetarët që kanë ndërtuar pa leje në zonat rurale, Berisha premtoi se, kur Partia Demokratike të vijë në pushtet, jo vetëm këto gjoba do falen por edhe ato për mospagesën e ujit dhe energjisë elektrike për familjet në nevojë.
“Garantoj çdo qytetar që janë gjobitur mbi bazën e atij ligji antikushtetues, se ata do të dëmshpërblehen. Ftoj çdo qytetar të mos paguajë një qindarkë gjobë antikushtetuese. Do falen të gjitha gjobat e energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm”, tha Berisha.
Berisha sqaroi edhe mungesën e demokratëve në protestën para SPAK në mbështetje të Ilir Metës, ku pohoi se ky tubim organizohej nga Partia e Lirisë dhe nuk ka qenë organizim i gjithë opozitës. (A2 Televizion)