Në një komunikim me ndjekësit e rrjeteve socialie, Sali Berisha ka komentuar vajtjen e SPAK në shtëpinë e kryebashkiakut të Tiranës.
Sipas kreut të PD, gjatë gjithë ditës së premte ka patur mesazhe me kode mafioze nga njerëz të Veliaj ndaj Kryeministrit, ku sipas tij Edi Rama është kërcënuar me foto të vëllait të tij, Olsit, me trafikant droge.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Dje u zhvillua një betejë mes Kodrës së Diellit dhe Sarajeve të Surrelit, Alban Dabulla i çoi Ramës foto të Olsi Ramës me kolumbianët e laboratorit të Xibrakës
Do të ndalem shkurtimisht, por edhe në një betejë tjetër, që u zhvillua dje, në orët më të para të mëngjesit dhe gjatë ditës këtu në vend, betejë të cilën mediat e pavarura e cilësuan si një betejë midis Kodrës së Diellit dhe Sarajeve të Surrelit, dhe me një element të veçantë, ultimatumin ‘Dabulla’.
Çfarë ndodhi dje?
Dje në orët e para të mëngjesit, ekipe të tëra të Skapit mësynë në shtëpinë e banimit të lali vjedhësit. Por dera e banesës nuk u hap të paktën për 1 orë e gjysmë.
Ekipet që kishin shkuar aty me mandat gjykate për të ushtruar kontroll dhe të gjitha veprimet, nuk guxuan të hapnin derën me forcë siç kërkon rregulli.
Por u prit gjersa në derë u paraqit një personazh, që askush nuk e imagjinonte se do të mund të ishte ai që do të hapte derën. Nuk ishte i vëllai i zonjës Veliaj, nuk ishte as kunati i saj, nuk ishin familjarët, nuk ishin punonjësit e bashkisë.
Por aty u paraqit Alban Dabulla, si i plotfuqishëm dhe vetëm pas paraqitjes së Dabullës, dera u hap.
Ndërkohë, Erion Veliaj nga Hamburgu në statusin e tij të parë u fotografua me një tigër, në fakt më mirë të kishte vendosur një hienë, se hiena i përshtatet atij. Por tigri ishte simbol i forcës dhe kërcënimit dhe natyrisht ndaj sarajeve të Surrelit dhe Edi Ramës.
E vërteta është se në këtë betejë, me kode mafioze që vazhdoi gjithë ditën, Alban Dabulla me ultimatumin e tij, luajti një rol përcaktues.
Dabulla i dërgoi Surrelit dhe jo vetëm, fotografitë e Olsi Ramës me Genti Xhixhën, me kolumbianët alkimistë të Xibrakës. Regjistrime që kishte nga aktiviteti i bandës së Xibrakës.
Për një ndërprerje të shkurtër në dosjen e Xibrës, njëri nga emrat krahas Ermal Hoxhës, Gentian Gjonajt, është edhe Dabulla, Besnik Dabulla, i vëllai i Albanit.
I vëllai i Albanit u lëshua mandat arresti në kohën e bandës së Xibrakës, por kur policia shkoi, Albani bëri të njëjtin akt, i dërgoi Ramës fotot e Olsit me grupin e kokainës, regjistrimet dhe policia u tërhoq, nuk e arrestoi Besnik Dabullën, anëtar aktiv i bandës së Xibrakës.
Tani pas kaq kohësh, në një kohë kur Olsi është akuzuar nga opozita, me fakte, dokumente se ai është anëtar i bandës së Xibrakës, Dabulla përsëri dje nxori dokumentet që disponon, me të cilat Olsin e çon drejt në qeli, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në SHBA, se ai ka shtetësi edhe amerikane edhe shqiptare.
Çfarë ndodhi pas kësaj?
Pas kësaj miqtë e mi, ndodhi ajo që patë.
Endri Fuga zëdhënësi i Edi Ramës dhe Altin Dumanit, pas gjithë asaj zhurmnaje të madhe, lëshon një komunikatë se u sekuestrua telefoni i Ajola Xoxës. Kaq ishte. U katandis kokoshi në thelë.
Kurse Erion Veliaj, nga tigri u bë lepur, lëshoi një komunikatë ku tha, me kolegët e mi të Skapit, jam në harmoni të plotë, fajin e ka Berisha që e sulmon Skapin, rroftë Skapi dhe u mbyll hesapi.
Këto janë të vërtetat e betejës që i zhvillua dje mes Kodrës së Diellit, dhe sarajit të Surrelit.
(A2 Televizion)