Drejtuesja politike e PD për Diasporën, Jozefina Topalli, është shprehur se mendon se sjellja e SPAK ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha ka qenë anti-ligjore dhe anti-kushtetuese.
Komentet Topalli i bëri në emisionin ‘Çdo kënd me Merita Haklaj’ në A2 CNN, ku tha se nuk mund të krahasohet arrestimi i liderit të opozitës, me arrestimin e një ish-ministri, apo ish-deputeti.
Kur u pyet mbi arrestimin e eksponentëve të Partisë Socialiste, ajo tha gjithashtu se nuk gëzohet për burgun e askujt, por shtoi se është e vendosur për të luftuar korrupsionin.
“Unë mendoj se sjellja e SPAK ndaj Berishës ka qenë anti-ligjore dhe anti-kushtetuese. Marrja e pushtetit të Parlamentit është diçka që duhet të trembë çdo njeri. Sepse mandati nuk është i deputetit, por është i Parlamentit, si një garanci për të ruajtur opozitën që të realizojë misionin e vetë”, tha Topalli.
“Nuk është lajm i vogël mësymja e agjentëve të BKH-së te banesa e Erion Veliajt, u dënua Lefter Koka, ish ministri i Mjedisit, Alqi Bllako u rikthye në burg, Ilir Beqja po përballet me drejtësinë, çfarë mendoni për deklaratat e Dumanit se nuk po goditet vetëm opozita, por edhe mazhoranca?”- pyeti gazetarja Haklaj.
“Unë nuk gëzohem për burgun e asnjërit, as nuk më ke parë kurrë të gëzohem për burgun e askujt në botë, por sigurisht e vendosur për të luftuar korruspsionin. Por të krahasosh një ish-ministër, një ish-deputet, një sekretar të përgjithshëm me kryetarin e opozitës, kjo është gjëja më e pa... jo vetëm që është joproporcionale, por edhe në princip nuk e pranon njeri”, tha Topalli më tej.
(A2 Televizion)