Komisioni i Venecias shqyrtoi këtë të premte kërkesën e Kuvendit të Shqipërisë nëse Gjykata Kushtetuese mund të imponojë një deputet se si duhet të votojë.
Në emër të grupit parlamentar të PS ishin në mbledhjen me dyer të mbyllura kryetarja e parlamentit Elisa Spiropali dhe kryetarja e Komisionit të Ligjeve Kotilda Bushka. Vendimi i Komisionit të Venecias për këtë çështje pritet të publikohet të hënën, por në një reagim për mediat Partia Demokratike akuzoi Kryetaren e Kuvendit për dezinformim.
“Mbajtja e fshehtë e draft opinionit të Komisionit të Venecias që është miratuar sot, apo përjashtimi i opozitës nga ky proces, ka patur si qëllim pikërisht dezinformimim e opinionit publik përmes prodhimit të lajmeve të pavërteta të sajuara nga Kryetarja e Kuvendit dhe me fjali të nxjerra jashtë kontekstit të opinionit të Komisionit të Venecias” shkruhet në reagimin e PD.
Prej dy vitesh, ish ministrja Olta Xhaçka akuzohet nga opozita se ka shkelur kushtetutën, për një investim që bashkëshorti i saj ka bërë në jug të vendit. (A2 Televizion)