Në reagimin e tij të parë pasi hetuesit e BKH i trokitën te porta, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i cilësoi veprimet e prokurorëve të mirëpritura, duke sqaruar se ato kryheshin në bazë të hetimit pasuror që është nisur disa kohë më parë ndaj tij dhe familjarëve.
Pasi sulmoi opozitën dhe mediat që bëjnë shantazhe, Veliaj u shpreh se asnjëherë nuk do të bjerë pre e presioneve.
Ai tha gjithashtu se nuk është pjesë e kastës së vjetër politike, duke shtuar se e mbështet plotësisht punën e SPAK.
Kujtojmë se me urdher te Prokurorise se Posacme agjente te BKH ishin dje ne banesen e kryebashkikaut Erion Veliaj, i cili ndodhej ne Gjermani ne nje takim me homologun e Hamburgut. Jo zyrtarisht mesohet se SPAK ka sekuestruar telefonin e bashkeshortes se tij, Ajola Xoxa si dhe ka kryer kontrolle ne banesene te vellait te tij, Arber Veliaj.
Reagimi i plotë i Erion Veliaj
Duke marrë shkas nga zhvillimet e ditës së sotme, hapat procedurale të kryera nga prokuroria e posaçme në lidhje me hetimin pasuror që po kryhet ndaj meje dhe familjarëve të mi, jo vetëm janë të mirëpritura, por edhe i mbështes në çdo hap.
U bë një kohë e gjatë që hetimin dhe gjykimin tim e bëjnë opozitarët e zhytur në llumin e korrupsionit dhe të “ashtuquajturat media”, që luftojnë çdo zyrtar e funksionar publik që nuk bie pre e presioneve dhe shantazheve të tyre për përfitime të padrejta.
Familjarët e mi dhe unë, si qytetar i këtij vendi, por njëkohësisht edhe në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, do të jemi gjithmonë të hapur për çdo veprim dhe vendim të institucioneve të drejtësisë, por duke përbuzur njëkohësisht me neveri çdo të pavërtetë, që ka si qëllim dëmtimin e imazhit tim dhe familjarëve të mi, si dhe duke përhapur, mbi të gjitha, disinformacione edhe mbi vetë punën e këtyre institucioneve.
Unë nuk bëj pjesë në atë kastë të vjetër politike që, për shumë kohë, e vendosën veten mbi ligjin, mbi drejtësinë dhe mbi llogaridhënien institucionale. Të gjithë këta që i kanë borxhe drejtësisë, rrokin flamurin e përkrahjes së drejtësisë kur në përputhje me ligjin dhe vendimet e gjykatave kryhen veprime procedurale në kuadër të hetimeve, dhe e sulmojnë atë me çdo mjet tashmë që drejtësia ka filluar të veprojë mbi ta, duke thyer kështu tabunë shumë vjeçare të mosndëshkueshmërisë. (A2 Televizion)