Vijojnë denoncimet për inceneratorët, Berisha: Veprimet e SPAK përndjekje politike e opozitës nga Rama

Nga Anesti Barjamemaj
13 Dhjetor 2023, 16:12 | Politikë

Edhe këtë të mërkurë Sali Berisha vijoi denoncimin lidhur me çështjen e inceneratorëve, duke u fokusuar tek kostot e djegësit të pandërtuar të Tiranës, një aferë që sipas tij do t’i çonte 1 miliard Euro në xhepat e Edi Ramës dhe Erion Veliajt, të cilët i quan përfituesit e vërtetë të skemës.

Ka vjedhur 17 euro/ton të plehrave të depozituara për 6 vite në fushën e Sharrës, në sipërmarrjen e tyre. Janë zhdukur 130 milionë euro. Në projektin 30-vjeçar, specialistët, ekspertë të pavarur, por edhe të PD, gjejnë se kjo aferë megakorruptive do të gjeneronte për pronarët e saj nga pagesat që merrte nga shteti dhe privatët, nga shitjet e materialeve që grumbullonte, do i aneksonte të paktën 1 miliard euro.

Pranoi edhe njëherë se ndikimi i parave të inceneratorëve kanë devijuar dhe agjendën e PD në kohën kur drejtohet nga Lulzim Basha dhe i dha meritat për denoncimin e kësaj afere Partisë së Lirisë.

PD ishte e verbuar nga paratë e inceneratorëve, flamurin duhet ta pranojmë e pati Partia e Lirisë në denoncimet e fuqishme.

I pyetur për sekuestrimin nga SPAK të disa telefonave të njerëzve pranë deputetes Monika Kryemadhi, Berisha foli për përndjekje politike kundër opozitës.

Lidhur me Partinë e Lirisë, të gjitha këto janë përndjekje politike e opozitës nga Edi Rama. Çdo akt, se si mund t’i sekuestrohet pa një leje, t’i kontrollohet korrespondenca deputetit pa leje parlamenti, kjo është shkelje përsëri e Kushtetutës.

Me të njëjtën lente shikon edhe shkresën e SPAK dorëzuar në Kuvend, ku kërkohet autorizimi për arrestimin e tij, por thotë se opozita do të kundërpërgjigjet.

Kanë kërkuar në mënyrën më të turpshme, përligjen e aktit të tyre antikushtetues. Është përpjekja për të legalizuar ndërtimin pa leje. Opozita do i përgjigjet metë gjitha mjetet e mosbindjes civile të gjithë valës së represionit kundra saj.(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos