Një muaj protesta dhe kryeministri Edi Rama nuk e ka ndër mend të japë dorëheqjen. Arsyen e shpjegoi Taulant Balla para gazetarëve. “Po të kishte dhënë dorëheqjen Rama për Air Albania, Tirana nuk do të ishte kjo që është sot”, tha kreu u grupit parlamentar socialist, përcjell A2 CNN.
Socialistët nuk e kanë ndryshuar qasjen e tyre, duke e cilësuar protestën si një tubim ku janë përfshirë edhe interesa armiqësore. Edhe pse protestuesit tashmë kanë artikuluar kërkesa politike dhe kanë ndërmarrë tentativa për formimin e një kuvendi kombëtar, për kreun e grupit parlamentar të mazhorancës, Taulant Balla, protesta është në shuarje. “Është një tullumbace e shfryrë”.
Ndaj opozitës, e cila vijon të jetë kritike ndaj mazhorancës, socialistët kërkojnë dorëzimin e mandateve.
Mungesa e kohës rrezikon reformën territoriale, duke e çuar vendin në zgjedhjet e vitit të ardhshëm me të njëjtin numër bashkish. Megjithatë, socialistët lënë të hapur derën për një konsensus politik.
Pavarësisht se Partia Socialiste, së bashku me tre deputetët e PSD-së, i ka votat për ta miratuar edhe e vetme reformën territoriale, në këtë moment protestash në rrugë po tenton të shmangë një tjetër përplasje politike, si edhe një protestë të demokratëve në kancelaritë perëndimore për prishjen e dialogut. (A2 Televizion)