Agron Duka: Çdo kërkesë e protestuesve do të marrë votën tonë në Parlament

Nga A2 CNN
28 Qershor 2026, 22:11 | Politikë

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste (PAA), Agron Duka, i ftuar në emisionin "Terminal" me Aurora Sulçe në A2 CNN, shprehu mbështetjen e tij për kërkesat e protestuesve, duke deklaruar se deputeti i vetëm i partisë së tij do t’i votonte ato në Parlament.

Duka u shpreh se përvoja e brezit të vjetër duhet të shërbejë si kontribut, por theksoi se nuk pajtohet me qëndrimin se gjatë 36 viteve të fundit nuk është bërë asnjë përparim në Shqipëri.

"Nuk duhet të jemi nihilistë dhe të themi se për 36 vjet nuk është bërë asgjë. Shqipëria ka ecur përpara. Unë i përkas brezit që ka jetuar edhe në kohën e Enver Hoxhës dhe e di shumë mirë se si ka qenë vendi. Ka pasur ndryshime dhe ka pasur politika me efekte pozitive, si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta", tha ai.

Në lidhje me protestën, Duka deklaroi se mbështet të rinjtë dhe kërkesat e tyre.

"Ju keni shumë të drejtë. Unë jam plotësisht me rininë. Ne kemi një deputet në Parlament dhe, nëse kërkesat tuaja do të paraqiten për votim, do t’i votojmë të gjitha që sot", u shpreh kreu i PAA-së. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos