“Votim elektronik në Tiranë”, PS: Pa ndërhyrje në kod, vota e emigrantëve rrezikohet

Nga Fjorela Beleshi
11 Nëntor 2024, 16:00 | Politikë

Pak muaj para zgjedhjeve parlamentare, mazhoranca dhe opozita duhet të arnojnë sërish kodin zgjedhor, me qëllim që vota e emigrantëve të mos bllokohet nga afatet kohore të pamjaftueshme dhe të mbërrijë brenda ditës së votimit në KQZ.

Shqetësimit të shprehur publikisht nga kryekomisioneri Celibashi, i bashkohet edhe PS.

“Nëse nuk ndryshohet kodi dhe konfirmohet nga kompanitë postare që për pjesën më të madhe të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit ky zarf nuk vjen në kohë atëherë patjetër që rrezikohet vota, për një pjesë të madhe të tyre”.

Sekretari Organizativ dhe Çështjet Zgjedhore në PS, mendon se kjo është një domosdoshmëri. Damian Gjiknuri për mikrofonin e A2CNN tregon se çfarë duhet të preket në ligjin elektoral.

“Të gjejmë një zgjidhje duke bërë disa modifikime, nuk janë ndryshime thelbësore se asgjë nuk do të ndryshojë. Afrimi i afateve të paraqitjes së listës së kandidatëve. Mund të gjejmë një formë tjetër se si mund të dërgohet më herët fleta e votimit”, thekson Gjiknuri wpr A2 CNN.

Propozimi i dytë konsiston në idenë që fleta e votimit të dërgohet në mënyrë elektronike duke shkurtuar kohë, por në kthim duhet të vijë me postë.

“Votimi elektronik kërkon një infrastrukturë komplet tjetër, kështu që ajo nuk është gati dhe as nuk e merr njeri përsipër. Kështu që mendoj se varianti me postë të mbetet variant i vetëm”.

Gjiknuri e bëri të qartë se PS jep dakordësi vetëm për këto modifikime, duke ja mbyllur derën PD-së që të vendosë kushte për ndryshime të tjera në Kodin Zgjedhor.

“Bisedat mund të bëhen pa u ulur në tryezë. Sepse ne nuk do të bëjmë reformë zgjedhore. Ne do të modifikojmë vetëm këtë element që lidhet me procesin e votës së diasporës. Nuk ka më kohë për të ndryshuar ligjin zgjedhor. Vërtetë mund të ketë tek-tuk disa rekomandime që nuk janë adresuar. Pretendimet si ndërhyrja e shtetit në zgjedhje, apo shitblerja këto nuk zgjidhen me kod zgjedhor”.

Gjiknuri mendon që në Tiranë duhet të implementohet votimi dhe numërimi elektronik edhe nëse PD nuk është dakord.

“Do të eliminojë shumë problem që ka votimi manual, se ose në Tiranë ka shumë kandidatë dhe fleta e votimit do të jetë më e vështirë. Sa i përket anës tjetër dëgjoj edhe po nuk qenë dakord ata edhe. Tashmë votimi elektronik është përfshirë në ligj dhe duhet të realizohet. Nuk mund të ndalohet me një vullnet të një partie politike për aq kohë sa nuk ka një vendim gjykate qe thotë se votimi elektronik është i pavlefshëm”.

Gjiknuri pretendon se opozita nuk i frikësohet ndërhyrjeve të paligjshme teknologjike, por e përdor çështjen si justifikim për rezultatin.

“Kur mbaron loja dhe ti do t’ja vësh fajin makinës. Këtë nuk e quaj dot as ludizëm modern”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos