Analisti Arjon Sulo është shprehur se në 11 maj, veç zgjedhjeve të përgjithshme Parlamentare që do të mbahen në Shqipëri, pritet të ketë edhe zgjedhje për Bashkinë e Tiranës.
Komentet Sulo i bëri në emisionin ‘Debat’ me gazetaren Alba Alishani në A2 CNN, ku tha se për zgjedhjet e 11 majit në Bashkinë e Tiranës, ka rreth një vit që flitet.
Ai shtoi gjithashtu se kryebashkiaku Erion Veliaj e parashikoi arrestimin e tij, pasi kishte thënë më parë se nuk do të ishte pjesë e zgjedhjeve të 11 majit.
Sipas analistit, si kryeministri Edi Rama, ashtu edhe Erion Veliaj, e kanë ditur për këtë situatë dhe janë përpjekur që të minimizojnë dëmet nga ‘goditja’ e SPAK.
“Si Veliaj, Si Rama, e kanë ditur shumë mirë se çfarë po ndodhte. Kjo quhet minimizimi i kostos. Pra menaxhimi i krizës me sa më pak dëme. Sepse të dy e kanë ditur. Të dy e kanë ditur shumë mirë që do të ndodhte, sepse te Bashkia e Tiranës opozita do të rriste presionin. Kemi për të pasur zgjedhje në 11 maj. Veliaj e thotë shumë qartë aty ‘s’do jem në këto zgjedhje’. E parashikon vetë fatin e tij, domethënë maj, qershor, pra gjithë vera.
Kemi rastin e Belerit, i cili nuk kishte bërë betimit dhe me betimin u shtynë 6 muaj. Kjo tregon dakordësinë doja të thoja unë. Që zgjedhjet e 11 majit, do të ketë edhe zgjedhje për Bashkinë e Tiranës. Ky skenar ka një vit që flitet në Tiranë. Janë parë të gjitha variantet”, tha Sulo, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)