Do të jetë Flamur Noka në krye të fushatës së Partisë Demokratike në gjithë Shqipërinë, duke koordinuar drejtuesit e qarqeve, siç raporton A2.
Mësohet se Noka do të ndihmohet nga Albana Vokshi si kryetare e Lidhjes së Gruas dhe Besar Xhaferri, kryetar i Forumit Rinor.
Partia Demokratike u mblodh pasditen e së mërkurës në selinë blu nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm Flamur Noka dhe me adresimin e Sali Berishës nga shtëpia e tij, ku po qëndron i izoluar me vendim të Gjykatës së Posaçme që prej 30 dhjetorit.
Aksioni opozitar dhe bashkimi i demokratëve janë në fokus të mbledhjes, në nisje të sezonit politik të vjeshtës dhe në prag të vitit elektoral.
Duke iu drejtuar anëtarëve të Kryesisë përmes një lidhje në Skype, Berisha bëri një rezyme të sfidave që PD ka kaluar në vitet e fundit dhe vlerësoi faktin që palët janë bashkuar.
“Mblidhemi në një moment vendimtar të historisë së PD. Mblidhemi në një moment kur kjo Kryesi duhet të marrë përsipër përgjegjësinë e rikthimit të votës së lirë të qytetarëve shqiptarë. PD në vitet e fundit përjetoi një proces të rrallë, të vështirë, por sot ajo është në këmbë, është e fuqishme, është e bashkuar, pavarësisht se parashikimet ose përpjekjet e hapëta ishin që kjo forcë politike të denatyrohej. Të shndërrohej në një simotër të partisë së krimit, të fshihej e tërë historia e saj, të fshihej, të s’postohej aksi i programit të saj.” (A2 Televizion)