“Zgjedhorja” punon online, Gjiknuri: Pas vendimit të Kushtetueses për herësin listat janë të hapura

Nga Fjorela Beleshi
9 Shkurt 2024, 19:54 | Politikë

Dy bashkëdrejtuesit e Komisionit të reformës zgjedhore arritën të shmangnin protestën e grupit parlamentar të opozitës. Pas tre tentativave të dështuara për ta mbajtur mbledhjen fizikisht, socialisti Damian Gjiknuri dhe demokratit Enkelejd Alibeaj e zhvendosën komisionin në platformën online.

Gjatë seancës dëgjimore me shoqërinë civile bashkëkryetari i mazhorancës Damian Gjiknuri tregoi interpretimin e tij për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për herësin në listën e kandidatëve për deputetë. Sipas tij herësi është zeruar dhe listat janë hapur 100%.

Edhe pse sistematikisht Ilirjan Celibashi nuk e ka pranuar si përgjegjësi të tij por të Kuvendit, për votën e emigrantëve, mazhoranca e çon sërish topin në fushën e KQZ-së.

Jo vetëm kaq por, Gjiknuri u kujdes të vinte në dukje edhe se qeveria nuk e ka detyrim të mundësojë votën e diasporës. Ai tha se për këtë mbështetet në praktikat ndërkombëtare.

Enkelejd Alibeaj, i besuari i Lulzim Bashës, për të treguar që nuk bie dakord me kolegun socialist, mendon që për të bërë të mundur votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë duhet ndërhyrje në ligj.

Gjiknuri mendon që fillimisht duhet të provohet regjistrimi i adresave të emigrantëve dhe nëse nuk funksionon të merren parasysh edhe propozimet e tjera, siç është modeli i Kosovës.

Për depolitizimin e administratës zgjedhore u propozuan dy modele, ai zviceran dhe ai grek. Pavarësisht se puna nisi, shoqëria civile u tregua pesimiste mbi formatin e komisionit të reformës zgjedhore, si për përbërjen, ashtu edhe për produktin final.

Në mbledhjen e radhës do të dëgjohen përfaqësuesit e partive jo parlamentare, si dhe institucionet, përfshirë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos