Teksa e quan show atë të krahut tjetër demokrat, vetë po përpiqet të luajë opozitarin konstruktiv. Mazhoranca i dha të njëjtin rezultat edhe Lulzim Bashës, teksa e detyroi ta braktiste sallën plenare me rrëzimin e amendamentit të tij për strategjinë e sigurisë kombëtare.
“Akti i sotëm është një lënie në baltë, një braktisje i një detyre jo thjesht atdhetare, por kushtetuese në një kohë jashtëzakonisht të vështirë dhe të mbushur me sfida. Ky nuk është nga ato raste larg qoftë kur themi: do shikoni se çfarë do të ndodh për shkak të papërgjegjësisë tuaj”.
Në një seancë të gjatë pyetje-përgjigje me gazetarët vëmendja u rikthye tek lufta e brendshme mes opozitarëve. Basha akuzon deputetët që nuk e mbështesin se aksioni i tyre është kundër interesave të Partisë Demokratike dhe po fuqizon mazhorancën.
“I thua të tjerëve që po përpiqen të bëjnë misionin e tyre opozitar që janë të shitur tek Edi Rama, ndërkohë që je ti tubi i oksigjenit të Edi Ramës. S’ka nevojë fare të bëjë asgjë, politikën për Edi Ramën po e bëjnë këta”.
Por historia e tij opozitare është e pasur me aksione të tilla ndaj Edi Ramës. Pse sot Basha mendon ndryshe?
“Ne kemi pasur objektiva të qartë politikë, për të mbajtur përgjegjëse qeverinë. Ku është objektivi politik sot dhe ku janë në raport me ato objektiva.” Teksa e quan të gabuar sjelljen e ish-bashkëpunëtorëve të tij, nuk heziton të kërkojë një pakt të ndërsjellë, mos sulmimi.
“Nëse duan të bëjnë gjithçka për të ngritur edhe njerëzit në protesta, duhet në radhë të parë të hartojmë një strategji që të harxhojmë zero energji në luftën kundër njëri-tjetrit. Sikur asgjë tjetër, të bëjmë një pak armëpushimi”.
Kreu i Partisë Demokratike, zyrtare akuza hodhi edhe në drejtim të kryeministrit Edi Rama për aferën e inceneratorëve, duke iu referuar deklaratave të Arben Ahmetajt i cili pohoi se ka marrë kërcënime me jetë.
(A2 Televizion)