Dhimitraq Çyfeku zgjidhet kryetar i degës së PD të Rithemelimit në Korçë, në zgjedhjet e ditës së sotme të organizuara nga kjo degë pas dorëheqjes së Devis Osmanit si kryetar i PD.
Në garë për kreun e degës lokale të Partisë Demokratike kanë qenë Eleina Qirici, Dhimitraq Çyfeku dhe Harido Zoto.
Në procesin e sotëm të votimit kanë shprehur vullnetin e tyre 577 anëtarë të degës së Korçës nga 4895 anëtarë, duke regjistruar kështu numrin më të ulët të pjesëmarrjes në votime gjatë gjithë viteve të fundit.
Në zgjedhjet e fundit, në garën e zhvilluar mes Ledina Alollit dhe Gjergji Gjatës, kanë votuar 1138 anëtarë, ndërkohë në zgjedhjet e sotme vetëm 577.
Pas largimit të Alollit si kryetare e PD së Korçës për të kandiduar për kryetar të bashkisë në zgjedhjet lokale të vitit 2013, zyrën e kryetarit e ka marrë si i komanduar Devis Osmani.
Çyfeku ka punuar edhe në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme të Korçës, ndërkohë që është nga anëtarët më të vjetër të degës së Partisë Demokratike.
Ai ka falënderuar votuesit për besimi e treguar ndaj tij dhe ka siguruar se do ngrejë degën e Korçës në vlerat më të mira të saj. (A2 Televizion)