Dita kombëtare e jetimëve, Muharremi: Objektiv strehimi, Radovani apel për vëmendje dhe fuqizim të familjes

Nga A2 CNN
20 Maj 2024, 09:23 | Sociale

Në shërbimin social shtetëror janë rreth 1 mijë fëmijë me statusin e jetimit që nuk kanë asnjë prind kujdestar dhe 6200 kryefamiljare të veja dhe të divorcuara. Këto shifra u dhanë në "Dita jonë", nga drejtori i Qarkut Tiranë në Shërbimin Social Shtetëror, Alfred Muharremi, sipas të cilit, sot institucionet e rezidencës nuk kanë fëmijë biologjikë jetimë, por që vijnë nga shkaqe të ndryshme të braktisjes. Ai tha se shërbimi rezidencial i Vlorës dhe i Korçës janë mbyllur, por po bëhen programe socializimi për fëmijët.

“Sot institucionet e rezidencës nuk kanë fëmijë biologjikë jetimë, por që vijnë nga shkaqe të ndryshme të braktisjes dhe për këtë po bëjmë programin e socializimit. Shërbimi rezidencial i Vlorës dhe i Korçës janë mbyllur. Po kalojmë në shërbimin komunitar që do vijë në ndihmë të fëmijëve që janë kthyer në familjet e tyre, apo kujdestare për të marrë të gjithë trajtimin e nevojshëm”.

Në ditën Kombëtare të Jetimëve, Muharremi theksoi se nga 1 janari 2022 qeveria ka trefishuar mbështetjen financiare për fëmijët pa kujdes prindëror dhe kryefamijaret e veja, por objektivi i tij mbetet strehimi.

“Ne kemi plan masash aktivitete, po bëjmë shpërndarje masive. Rreth 1 mijë paketa ushqimore nga Organizata Globale "Mirësi për Botën" po shpërndahen në të gjitha bashkitë. Qëllimi është që për këtë kategori kemi filluar 25 shtëpitë e para po me organizatën "Mirësi për Botën" nën vemëndjen e posaçme të Kryetarit të Bashkisë Tiranë Z. Veliaj, që po rikonstrukohen dhe mobilohen. 12 prej tyre janë kyefamiljarë të veja. Do të fokusohemi komplet te strehimi social. Është objektivi im”.

 Ai tha se ligji i statusit të hetimit, që është prej vitit 1996 duhet shfuqizuar, pasi nuk ka asnjë ndryshim dhe amendim dhe nuk i përkon kohës.

“Është një status që nuk ka parë asnjë ndryshim, asnjë amendim. Po punojmë. Duhet shfuqizuar se është një ligj që nuk i përkon kohës dhe çdo nen i tij është i shfuqizuar se ligjet e tjera i kanë parashikuar nenet e këtij ligji. Propozimi ynë është përfshirja më e gjerë e kësaj kategorie. Kemi rreth 1 mijë fëmijë me statusin e jetimit që nuk kanë asnjë prind kujdestar. Fëmijët vetëm me një prind nuk janë parashikuar në ligj”.

Ai tha se edhe një nënë e vetme mund të birësojë fëmijë, por prioritet i jepet familjes.

Për drejtoreshën e Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër, Anxhela Radovani, situata nuk është e mirë pasi ka një thellim të situatave problematike.

“Shtim i përfituesve dhe thellim i situatave problematike në raport me përfituesit. Shumë raste vijnë si pasojë e shëndetit mendor. Kjo nuk është situatë e mirë. Është pasqyrë e situatës që po kalojmë”.

Ajo bëri thirrje për më shumë vëmendje ndaj kësaj kategorie dhe për fuqizim të familjes për të parandaluar këto situata.

“Sistemi i parandalimit e referimit duhet të jetë më i mirë. I bëj ftesë të gjithëve të fuqizojmë më shumë familjen, që askush të mos jetë para zgjidhjes së sistemimit në qendra rezidenciale. Është një vëmendje për shërbimet që këta fëmijë kanë nevojë. Ne nuk përpiqemi për nevoja bazike; ushqime dhe veshmbathje, por si çdo familje t’i sigurojë përtej mureve të këtij institucioni edhe këtu të njëjtën gjë mundohemi, por jo gjithmonë janë mundësitë. U bëj thirrje që vëmendja të mos jetë në fund të vitit. Urojmë të kemi sa më shumë birësime”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos