Gjiri i Portonovës, “qyteza” e turistëve të huaj e frekuentuar edhe në tetor

Nga Jerola Ziaj
31 Tetor 2023, 12:31 | Sociale

Natyra, bregdeti dhe klima e kanë kthyer gjirin e Portonovës pranë Zvërnecit në një miniqytezë për turistët e huaj që lëvizin me kampera dhe nuk kanë nevojë për akomodim në hotele. Edhe pse është fundi i muajit tetor, turistët nga Gjermania, Holanda, Zvicra etj., vijojnë të shijojnë notin dhe diellin.

Si ata që vijnë për herë të parë ashtu edhe ata që janë rikthyer, shprehen të kënaqur jo vetëm me miniqytezën e tyre, por edhe me Shqipërinë dhe shqiptarët.

"Ne jemi nga Zvicra. Është hera e parë që vijmë këtu. Kemi ardhur për plazhin, kemi marrë edhe kampingun me vete, do të shkojmë për not dhe do të shijojmë sigurisht motin e mirë. Është hera ime e parë në Shqipëri. Më pas do të zhvendosemi më në Jug, në Ksamil dhe Sarandë.

"Jam nga Haidenberg i Gjermanisë, një qytet i vogël. Na pëlqen shumë këtu, sepse deti nuk ka shumë thellësi, ndërsa uji nuk është shumë i ftohtë. Kemi qenë më parë në Shqipëri, por nuk kemi qenë në Vlorë. Pas Vlorës, sigurisht që do të zhvendosemi drejt jugut në Sarandë.”

Kemi ardhur në këtë vend prej 10 ditësh. Këtu na pëlqen shumë, është nxehtë, një mrekulli e natyrës, por gjithashtu edhe nuk ka shumë turistë si vendet e tjera çka sjell më shumë qetësi. Është një shtet i ri për ne që duhet zbuluar, nuk dimë shumë rreth Shqipërisë. Këtu na ka pëlqyer shumë, tashmë do t'i themi edhe familjarëve tanë se sa e bukur është Shqipëria.

"Kemi ardhur në këtë vend nga Gjermania. E vizituam këtë herë Shqipërinë pasi motra ime ka qenë këtu para disa vitesh dhe na tregoi gjëra të mrekullueshme. Vëllai im ka qenë ditë më parë në këtë plazh dhe ai na tha neve që ta vizitonim. Kemi 2 javë e gjysmë në këtë vend. Është hera jonë e parë në Shqipëri, na pëlqen shumë. Shqiptarët janë një popull shumë i mirë dhe i këndshëm.”

Gjatë muajve të verës, gjiri i Portonovës ka qenë akoma më shumë i populluar dhe nëse temperaturat do të vijojnë të tilla atëherë ky gji mund të frekuentohet thuajse gjithë vitin, pasi një pjesë vlerësojnë natyrën dhe pamjen edhe kur nuk është koha për t'u larë në det.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024