Gripi dhe RSV mbushin pediatrinë, mbi 400 pacientë në ditë, komplikacionet rrisin shtrimet

Nga Ornela Joti
10 Janar 2024, 14:11 | Sociale

Qarkullimi i gripit dhe viruseve të tjerë respiratorë po shtojnë sëmundshmërinë në popullatë. Urgjenca e pediatrisë në QSUT është tregues se numri i rasteve të prekur nga infeksionet respitarore po shkon drejt pikut.

Mbi 400 pacientë në ditë i drejtohen këtij shërbimi për ndihmë mjekësore. Pediatrit konfirmojnë se nuk bëhet fjalë vetëm për komplikacione nga gripi. Tek moshat pediatrike deri 2 vjeç ka raste të shtuara me virusin respirator sinsincial,  infektime nga Covid dhe mutacionet e tij por edhe mbivendosje virusesh të cilët kanë rënduar gjendjen e fëmijëve në këtë periudhë.

Jemi në stinën e gripit dhe virozave dhe sipas mjekëve nuk kemi të bëjmë me një situatë të pazakontë si ajo gjatë pandemisë. Megjithatë prania e shumë viruseve njëkohësisht ka ngarkuar sistemin shëndetësor duke rritur edhe shtrimet në spital këtë periudhë.

Edhe pse zyrtarisht nuk ka konfirmim për praninë e varintit të ri të Covid, JN1, mjekët nuk përjashtojnë qarkullimin e tij në vendin tonë, referuar shenjave dhe agresivitetit të sëmundjes tek të vegjlit.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik kurba e infektimeve nga gripi dhe viruset e tjera vetëm po rritet. Mbi 13 mijë të prekur në javë raportohen aktualisht.

Pas bërjes publik ka mediat, ISHP ka konfirmuar edhe viktimën e parë nga gripi, 70-vjeçarin nga Gjirokastra, i cili ka humbur jetën një javë më parë në shërbimin infektiv. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos