Energjia elektrike në zonat malore dhe rurale të juglindjes veçanërisht në ditët e ftohta dhe me reshje dëbore, është një mungesë që vështirëson shumë jetën e banorëve. Por ndërsa shkëputja dhe rikthimi i energjisë zgjasin me orë, e njëjta kohë për elektricistët do të thotë luftë me të ftohtin dhe kushtet ekstreme të natyrës.
Fatmirësisht, elektricistë si Zija Selko, vijojnë ende të shërbejnë duke sfiduar natyrën dhe duke u garantuar mijëra banorëve furnizim me energji elektrike. Gati tri dekada në këtë profesion 53-vjeçari tregon se ka qenë përzgjedhja e tij të bëjë këtë punë me pasion dhe jo nevoja e momentit.
Defektet në zonat e thella malore janë prezente sa herë që moti përkeqësohet dhe përveç vështirësive të punës në temperatura disa gradë nën zero, Zijai duhet të ecë nëpër dëborë trashësia e të cilës shkon deri në 60 cm.
Natyrisht që pagesa asnjëherë nuk ka justifikuar lodhjen e deri rrezikshmërinë e kësaj pune. Por Zijai me modesti shprehet se arrin t'i marrë edhe kënaqësi kësaj pune pikërisht në momentet më të vështira për të.
Si çdo profesion edhe ai i elektricistit nuk po preferohet nga brezat e rinj. Por zonat që mbulohen nga Zijai edhe për disa vite do të jenë të qetë që në raste avarie, ditë apo natë, ftohtë apo nxehtë, ai do të jetë atje për t’u rikthyer dritën. (A2 Televizion)