Mësuesit “lëshojnë dorën”, mbi 2 mijë nota fiktive në maturë, nga mbetës bëhen me dhjeta

Nga Ornela Joti
11 Janar 2024, 16:29 | Sociale

Fiktiviteti i lartë i notave në shkollat shqiptare nuk njeh të ndalur. Mësuesit nuk ngurojnë të vënë nota të pamerituara edhe në maturë, viti që përcakton orientimin e të rinjve për studimet e larta.

Vetëm gjatë maturës 2022-2023 janë vendosur mbi 2 mijë nota fiktive për lëndën e gjuhës shqipe dhe te matematikës. Ky fakt është publikuar gjatë analizës së maturës shtetërore nga Ministria e Arsimit.

Referuar të dhënave rezulton se 600 maturantë, në gjuhën shqipe, kanë një diferencë me 3 deri 5 nota, mes rezultatit vjetor dhe notes se provimit të maturës shtetërore.

Edhe më i lartë është fiktiviteti në matematikë ku 535 maturantë kanë rënë me tre nota në provimet e maturës krahasuar me vlerësimin e tyre vjetor në po këtë lëndë.

Edhe më keq akoma për 7 nxënës, të cilëve mësuesit e tyre ua kanë nxjerrë Matematikën 9 ose 10 ndërsa në provimet e maturës kanë mbetur ose me zor kanë marrë 5.

Ministria e Arsimit ka konstatuar 12 bashkitë për fiktivitetin më të lartë të notave në maturë. Referuar këtyre të dhënave gjimnazet e Peqinit, Kukësit, Hasit, Tropojës dhe Pustecit kryesojnë për notat e pamerituara në maturë.

Për ish-maturantët sot studentë në vit të parë nota mesatare në gjuhë shqipe është 7.3. 6.7 është rezultati në matematikë ndërsa gjuhët e huaja kanë rezultate më të mira, 7.5.

Vajzat kanë arritje më të mira se djemtë, ndërsa nxënësit e qytetit janë me nota më të mira krahasuar me maturantët e zonave rurale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos