Situata gripale ka dhënë efektet e saj edhe në spitalet rajonale të vendit. Në Fier shërbimi i urgjencës në spitalin rajonal, po përballon një fluks të shtuar të pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore kryesisht për komplikacionet nga virozat e stinës.
Mjeku i urgjencës pohon për mikrofonin e A2CNN, fluksin, si dhe simptomat e pacientëve.
“Situata me virozat e stinës paraqitet e rënduar. Kemi pasur shumë raste që trajtohen brenda 24 orëve, deri në 150 vizita. Pjesa më e madhe që predominon janë simptoma si temperaturë, kollë, dhimbje muskujsh.”
Duke qenë që numri i lartë i personave të prekur nuk paraqet rëndim serioz të shëndetit mjeku i urgjencës apelon që një pjesë e pacientëve t’i drejtohet mjekut të familjes për të ulur ngarkesën në repart.
“Ajo që ne kërkojmë është thjeshtë që një pjesë e mirë e këtyre pacientëve që kanë shenja më të lehta mund të shkojnë dhe të trajtohen shumë mirë pranë mjekut të familjes.”
Sakaq, fluks në rritje të pacientëve po përballon edhe urgjenca e spitalit rajonal të Gjirokastrës. Edhe këtu agresiviteti i virozave është i ulët dhe nuk parqet rëndime serioze të shëndetit. Por vihet re një rritje e rasteve të personave të infektuar me Covid, krahasuar me periudhën para festave të fundvitit.
“Thjesht kemi prekje të popullatës, por jo sëmundshmëri të lartë. Sa i përket COVID-it kemi një farë shtimi të rasteve. Në periudhën e dhjetorit kishim një ulje të COVID-it sepse dominonte virusi i gripit. Tani kemi një shtim të lehtë.”
Megjithatë, mjekët apelojnë për kujdes, shmangie të grumbullimeve masive, vendosjen e maskave nga personat e prekur me viroza apo Covid, si dhe konsumin e sa më shumë lëngjeve dhe ushqimeve të shëndetshme. (A2 Televizion)