Blegtorët e jugut duken të vendosur për të mos u tërhequr nga protestat deri në përmbushjen e kërkesave që i kanë parashtruar në distancë Ministrisë së Bujqësisë.
Protesta e radhës u zhvillua sërish pranë urës së Kardhiqit në aksin Tepelenë-Sarandë.
Ata janë shprehur se nga protesta në protestë ndaj tyre është shtuar presioni, ndërsa kanë denoncuar shkaktarët, sipas tyre, të gjendjes ku ndodhen aktualisht këta blegtorë.
“Është në dorën e një mafie, nuk është në dorën e shtetit. Kur s’di shteti, ku të vemi ne.”
“Ne prapë ato katër pika që kemi do t’ua paraqesim përpara dhe nëse ata nuk do të reagojnë do të na kenë në rrugë përsëri, megjithëse kanë bërë edhe presion. Mos dilni në protestë sepse do tu heqim kullotën, ke filanin në punë, ke fistekun. Me polici, kanë përdorur edhe Policinë e Shtetit, unë dhe nja dy të tjerë jemi shoqëruar. Ne nuk mund të mbetemi peng i monopoleve që kanë ata, t’i çmontojnë monopolet në tregun e mishit e tregun e bulmetit. Si mund të vijë qumësht nga Serbia këtu mo?”.
“Unë kërkoj të dal në treg me Made in Albania. Që do të thotë shelegu im të ketë targën time, vulën time. Jo të vij nga Rumania sheleg dhe të theret në Fier, e ti vihet vula jonë. Pse t’i vihet vula jonë, ai s’është mall shqiptar.”
Ndërkohë pritet që një përfaqësi e blegtorëve të takohet me ministren e bujqësisë, por blegtorët kanë vënë kusht që takimi të bëhet i hapur edhe për median. (A2 Televizion)