Ai theksoi rëndësinë e rolit të institucioneve në formimin e një shoqërie të shëndetshme dhe theksoi mungesën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të edukimit dhe kulturës.
Pano e cilësoi ngjarjen një pasqyrë të dështimeve të theksuara në sistemin edukativ dhe kulturor. Sipas tij, shumë institucione edukimi nuk po arrijnë të ofrojnë një arsim të mirëfilltë që të mundësojë zhvillimin e fëmijëve në mënyrë të drejtë. Po ashtu, ai theksoi se shumë nga institucionet e kulturës, përkundrazi, ndonjëherë bëjnë më shumë dëm sesa dobi, duke promovuar modele që nxisin dhunën dhe materializmin. Pano theksoi se kjo ka ndikuar në formimin e modeleve të pasigurta për fëmijët, duke përmendur këtu idhujt që shpesh janë reperë dhe individë të cilët promovojnë forcën dhe famën në vend të vlerave pozitive.
“Çështja është shumë komplekse. Institucionet e edukimit, fatkeqësisht, nuk edukojnë ashtu siç duhet të edukojnë, institucionet e kulturës, që në fakt, në vend që të induktojnë kulturë fatkeqësisht hera herës bëjnë të kundërtën. Kemi të bëjmë me një mungesë të theksuar të bashkëpunimit institucional. Nga ana tjetër, i kemi braktisur fëmijët. Fëmijët tanë janë lënë në oqeanin e dhimbjes, të boshatisjes, janë tërësisht të dorëzuar në disa modele që synojnë me vrull tjetërsimin e tyre, modele reperësh, të fortësh, që në njëfarë mënyre propozojnë sukses dhe famë, ndërsa fëmijët nuk kanë modele të shëndetshme, që nuk lidhen me atë fasadën vanitoze”, tha pastor Akil Pano në A2.
Një tjetër pikë e rëndësishme që Pastor Pano theksoi ishte mungesa e pranisë aktive të shtetit, duke e cilësuar këtë si një faktor që lejon rritjen e kriminalitetit.
Në fund, Pano kërkoi një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet institucioneve të ndryshme, për të ofruar fëmijëve modele të shëndetshme dhe për t’i mbrojtur ata nga ndikimet negative që mund të çojnë në dhunë dhe kriminalitet. (A2 Televizion)