Prindërit në protestë, kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes. Bojkot mësimit më 27 nëntor

Nga Ornela Joti
25 Nëntor 2024, 23:08 | Sociale

Në të shtatën ditë nga vrasja e nxënësit 14-vjeçar Martin Cani, komuniteti i prindërve kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Të mbledhur serish në protestë para Ministrisë së Arsimit, ata bënë thirrje për dorëheqjen e ministres Ogerta Manstirliu, duke e cilësuar përgjegjëse për mungesën e sigurisë në shkolla.

Protesta e komunitetit të prindërve u mbështet edhe nga familja e 14-vjeçarit të vrarë. Babai i Martin Canit ishte mes prindërve të tjerë për të kërkuar drejtësi dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes ku mbeti i vrarë djali i tij. Në pamundësi për t’u shprehur, mesazhin e tij e ka dhënë gjyshi i Martinit.

Ndërsa motra e Egli Progës, 42-vjeçarit të vrarë në Pogradec, në gusht të këtij viti, nga protesta e prindërve në Tiranë i bëri thirrje policisë të mos fshehë ngjarjen e vrasjes së Martinit si në rastin e vëllait të saj.

Pas tubimit gati 2-orësh para Ministrisë së Arsimit, komuniteti i prindërve vendosi përshkallëzimin e protestës përmes një bojkoti 1-ditor të mësimit. Organizatorët kërkuan që të mërkurën e 27 nëntorit prindërit të mos i çojnë fëmijët në shkolla në shenjë proteste ndaj heshtjes së Ministrisë të Arsimit.

Një javë më parë nxënësit i klasës së nëntë Martin Cani u vra me thikë nga bashkëmoshatari i tij, disa metra larg shkollës së tyre “Fan Noli” në kryeqytet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos