Në emisionin "Debat" nga Alba Alishani në A2 CNN, u diskutua për vrasjen tragjike të 14-vjeçarit në Tiranë dhe rreziqet që po kërcënojnë sot adoleshentët, ku e ftuar ishte edhe Valbona Treska, presidente e Urdhrit të Psikologut.
Ajo theksoi situatën e vështirë që po kalojnë adoleshentët në Shqipëri, duke përmendur ndikimet negative që mund të kenë në zhvillimin e tyre modelet e gabuara dhe mungesa e mbështetjes adekuate nga ana e prindërve.
Treska bëri thirrje për një angazhim më të madh të prindërve në jetën e fëmijëve të tyre, duke theksuar se kjo nuk ka të bëjë me numrin e orëve të kaluara me ta, por me cilësinë e kohës. Sipas saj, prindërit duhet të gjejnë mënyra për të kaluar më shumë kohë me fëmijët, larg celularëve dhe angazhimeve të tjera, duke krijuar mundësi për biseda dhe aktivitete të përbashkëta. Ajo sugjeroi që të paktën një orë në ditë, prindërit të organizojnë aktivitete si gatimi bashkë, biseda mbi ditën që kaluan dhe përpjekja për t’i ofruar fëmijës një vëmendje të plotë, shkruan A2.
“Nuk është çështje sasish orësh, por është koha cilësore që t’i shpenzon me fëmijën. E gjithë bota kështu është e organizuar, prindërit shkojnë në punë, fëmija shkon në shkollë. Koha cilësore është që mami dhe babi të mos merrem me celularin një orë, por të bëjnë bisedë me fëmijën. Si shkove sot në shkollë? Më tregon pak më shumë. Mund të gjesh shumë forma për ta afruar fëmijën te ty. Të paktën një orë përpiquni të mos rrini në telefon, ha diçka me fëmijën, organizo një bisedë me të. Gatuani diçka me të bashkë. Ndërkohë që gatuan, flisni me njëri-tjetrin dhe ja ku u la telefoni mënjanë”, tha psikologia. (A2 Televizion)