Sociologu Gezim Tushi është shprehur se është thuajse e pamundur që puna e një psikologu, të caktuar në çdo shkollë (me rreth 750 nxënës), të jetë e mjaftueshme për trajtimin e adoleshentëve.
Komentet Tushi i bëri në emisionin ‘Debat’ me gazetaren Alba Alishani në A2 CNN, ku tha se për adoleshentët është i domosdoshëm trajtimi personal i tyre.
Ai shtoi gjithashtu se duhet që të gjitha hallkat e shoqërisë të bëjnë një punë të mirë me adoleshentët, që ngjarje të tilla, si vrasja e 14-vjeçarit në Tiranë, të mos ndodhin më.
“Psikologët, dhe punonjësit socialë kanë pushtetin e dijes dhe duhet të kenë një kontribut të madh shoqëror përsa i përket adoleshentëve. Këto mekanizma e teknikalitete kërkojnë përmirësim. Por duhet të kuptohen disa hallka të tjera.
Shkolla e familja janë shumë ‘institucione’ të rëndësishme për formimin e fëmijëve. Nëse ne nuk do të ndryshojmë rrethanat në të cilat rriten adoleshëntët, atëherë psikologu, sociologu, polici, xhandari, kushdo që të vijë, nuk jep shumë efekt.
Unë kam biseduar edhe me psikologë e punonjës socialë që janë nëpër shkolla. Kërkohet një trajtim i personalizuar dhe individualizuar i adoleshentit. Por ka mundësi një psikolog apo punonjës social në një shkollë me 1200 nxënës. Edhe 750 janë shumë”, tha Tushi. (A2 Televizion)