Mbetje plastike të ndryshme e deri tek pjesët e makinave apo orendive shtëpiake përfshirë edhe dyshekë gjen në bregdetin e Lungomares në Vlorë sa herë ka erë dhe det me dallgë. Me gjithë punën e punonjësve të pastrimit për të eliminuar atë ndotje që natyra na kthen herë pas here, duket se problemi mbetet i njëjtë prej vitesh në këtë zonë.
Herët apo vonë natyra të kthen atë që bën. Dhe pamjet në fillim të Lungomares në Vlorë janë një dëshmi e kësaj.
Dhe në fakt kjo situatë nuk është se po shfaqet tani. Punëtorët e pastrimit të bashkisë, të cilët përpiqen të minimizojnë sa të munden imazhin e Vlorës turistike në sytë e vizitorëve, tregojnë se ndër vite mbetjet që deti nxjerr në këtë zonë tregon edhe një herë ndotjen që gjithsecili prej nesh i bën natyrës dhe vendit ku jeton.
Një prej kanaleve kulluese kryesore të Vlorës, ai i Siavit derdhet në det në Lungomare, pasi përshkon disa lagje, duke marrë me vete qindra mbeturina. (A2 Televizion)