Shkencëtarët kanë zbuluar një grup të ri antibiotikësh që mesa duket mund të eliminojnë një nga tre bakteret që rrezikojnë rëndë shëndetin e njerëzve.
Këto baktere janë konsideruar të rrezikshme për shkak të rezistencës që kanë ndaj medikamenteve ekzistuese.
Antibiotiku Zosurabalpin arriti që të neutralizonte shtamet që deri më tani kanë qenë rezistente ndaj antibiotikëve, e baktereve “Carbapenem-resistant Acinetobacter baumannii” (CRAB) tek rastet e pneumonisë dhe sepsës tek minjtë. Dhe, tashmë medikamenti po testohet në njerëz.
CRAB klasifikohet si patogjen kritik i kategorisë së parë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, së bashku me dy forma të tjera të baktereve rezistente ndaj medikamenteve, Pseudomonas aeruginosa dhe Enterobacteriaceae.
“CRAB është në shumicën e rasteve shkaktar i infeksioneve spitalore, më konkretisht te njerëzit që janë në frymëmarrje të asistuar,” shpjegon Dr. Andree Edeards, lektor i lartë i mikrobiologjisë molekulare në Kolegjin Imperial të Londrës.
“Edhe pse nuk është një patogjen agresiv, është rezistent ndaj një numri të madh antibiotikësh duke e bërë shumë të vështirë për t’u trajtuar.”
Infeksionet rezistente ndaj antibiotikëve paraqesin një kërcënim urgjent për shëndetin e njeriut – veçanërisht ato të shkaktuara nga një grup i madh bakteresh të njohura si baktere Gram-negative, të cilat mbrohen nga një shtresë e jashtme që përmban një substancë të quajtur lipopolisakaride (LPS).
Për këto baktere nuk ëështë miratuar asnjë antibiotik i ri për më shumë se 50 vite. (A2 Televizion)