Shtohen zërat e deputetëve demokratë për bashkim

Nga A2 CNN
18 Maj 2023, 15:17 | Politikë
Shtohen zërat e deputetëve demokratë për bashkim

Pas dorëheqjes së Enkelejd Alibeaj si kryetar i komanduar i PD, sipas statusit të demokratëve, një prej nënkryetarëve të partisë, zgjidhet si drejtues i përkohshëm nga Këshilli Kombëtar deri në mbajtjen e zgjedhjeve për kreun e ri.

Aktualisht, e vetmja nënkryetare e mbetur është Jorida Tabaku, e cila nuk dha një përgjigje të qartë nëse do të jetë ajo që do ta drejtojë tashmë partinë, por theksoi rëndësinë e gjendjes së rrugës për të bërë bashkë PD.

“Shqipërisë i duhet një opozitë e fortë. Nuk kam parë më shumë trishtim se çfarë kam parë në këto zgjedhje, askush nuk duhet të bëjë deklarata të nxituara dhe të reflektojmë dhe të pranojmë që PD-ja nuk është as më e madhe, as më e bashkuar dhe as më e fortë. Ambiciet e mia politike nuk mungojnë, por për mua më e rëndësishmja është ambicia e demokratëve çdo hap do e flasim me strukturat”, tha Tabaku.

Ndryshe nga Tabaku, Gazmend Bardhi nuk komenton.

Ervin Salianji, që drejtoi fushatën e demokratëve në Kavajë, i vetmi bastion që rezistoi, e sheh dorëheqjen e Alibeajt si një skemë politike për të përçarë më tej PD-në. Salianji shtoi se ndonëse sipas rregullores së Kuvendit ai është drejtues i grupit parlamentar, nuk do ta marrë këtë post.

“Është momenti që të kemi ndryshime reale dhe përgjegjësinë gjithsecili ta shohë personalisht në zonat ku ka bërë fushatë. Ata që kanë dëmtuar PD-në të japin llogari. Fraksioni i vulës ka një përpjekje tjetër për t’u fragmentarizuar më shumë”, tha Salianji.

Pyetjes nëse Sali Berisha duhet të mbajë përgjegjësi politike njësoj si Alibeaj, Tritan Shehu, Luan Baçi dhe Edi Paloka iu përgjigjën duke treguar nenet që parashikon statuti i PD.

“Vetëm vota është ajo që të largon dhe askush tjetër”, tha Baçi. “Së pari duhet të mendojmë sesi duhet t’i kundërvihemi këtij regjimi dhe për t’iu kundërvënë këtij regjimi duhet të bëhemi bashkë”, tha Shehu.

“Asnjë hap pas nuk duhet të bëjë Berisha. Këto janë synime të PS-së që PD-ja të shkalafitet fare”, tha Paloka.

Të premten e 19 majit, PD zyrtare pritet të mbledhë Kryesinë për të vendosur mbi hapat e mëtejshëm.

https://a2news.com/2023/05/18/seanca-e-pare-pas-14-majit-debati-i-zgjedhjeve-shkon-ne-parlament-opozita-akuza-per-manipulim/
https://a2news.com/2023/05/18/doreheqja-e-alibeaj-paloka-perfundoi-misionin-qe-i-kishin-caktuar/
https://a2news.com/2023/05/18/tabaku-nese-pd-do-ishte-bashke-situata-do-ishte-ndryshe-ne-14-maj-te-reflektojme/

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024