Rusia ka rritur praninë diplomatike në Serbi pas valës së dëbimeve nga shtetet e be-së, si pasojë e luftës në Ukrainë. Në muajt që pasuar nisjen e agresionit, qindra diplomatë rusë u dëbuan nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, kryesisht nën dyshimin për spiunazh.
Por një hetim I Radios Evropa e Lirë zbulon se të paktën 3 prej tyre, u rishfaqën më vonë si diplomat të akredituar në Serbi. Mes tyre, dy kanë lidhje të vërtetuara me shërbimet ruse të inteligjencës. Sipas Radios Evropa e Lirë, Aleksei Ivanenko, i cili shërbeu si sekretar i dytë i Ambasadës ruse në Zagreb të Kroacisë u dëbua pas 2 vitesh detyrë, por brenda gjashtë muajve ai mori postin e ri në Beograd, ku u emërua si sekretar I parë I ambasadës. Sipas të dhënave ai rezulton se kishte punuar si inxhinier, për FSB-në ruse.
Mikhail Generalov është një tjetër diplomat rus i cili pasi u dëbua nga ambasada në Varshavë, u punësua si këshilltar në ambasadën në Beograd. Media ka mundur të verifikojë lidhjet e tij me shërbimin e inteligjencës së jashtme në Rusi.
Aktualisht në shtetin ballkanik gjenden 62 diplomatë të akredituar në krahasim me 54, sa ishin në mars të vitit 2022, tregon një analizë e listave diplomatike që mbahet nga Ministria e Jashtme. Ndryshe nga shumica e vendeve evropiane, Serbia nuk i vendosi sanksione Moskës për luftën në Ukrainë, diçka kjo që ka nxitur kritikat dhe thirrjet e vazhdueshme të BE, për t’iu bashkuar politikës së jashtme të bllokut.
Ndërsa aspiron të bëhet pjesë e unionit, qeveria e Vuçiç përpiqet në të njëjtën kohë të mbajë lidhje të ngushta me Rusinë, e cila është ndër të tjera edhe përkrahësja më e fortë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës. (A2 Televizion)