Dhunoi arbitrin, futbollisti i Shënkollit përfundon në pranga

Nga A2 CNN
28 Tetor 2023, 21:10 | Futboll

Dhunoi arbitrin, futbollisti i Shënkollit përfundon në pranga

Futbollisti i "KF Shënkolli", 31 vjeçari Bledar Zefin është vënë në prangat e policisë për shkak se ka dhunuar arbitrin Abdurraman Kadriu.

Gjatë ndeshjes, i riu nuk ka qenë i kënaqur me gjykimin e arbitrit për pasojë e ka goditur me grusht në fytyrë. Për rrjedhojë, arbitri ka përfunduar në spital, ku po merr kujdesin e duhur mjekësor. Për shkak të këtij episodi, ndeshja u ndërpre në minutën e 85.

“Lezhë/ Dhunoi fizikisht arbitrin gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipeve "KF Shënkolli"-"KF Sopoti", vihet në pranga 31-vjeçari, futbollist i ekipit "KF Shënkolli".

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin B. Z. 31 vjeç, banues në Lezhë, futbollist i ekipit "KF Shënkolli", për veprën penale "Goditje për shkak të detyrës".

31-vjeçari, ditën e sotme, gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipeve "KF Shënkolli"-"KF Sopoti", në stadiumin e Shënkollit, ka dhunuar fizikisht arbitrin e ndeshjes, shtetasin A. K., 34 vjeç, banues në Tiranë, i cili aktualisht ndodhet në spital për asistencën e nevojshme mjekësore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu