Supersfida e javës së 10 në Premier League ndërmjet Manchester United dhe Chelsea përfundoi në barazim 1-1. Në “Old Trafford” gjithçka ndodhi në harkun e 4 minutave lojë.
Në të 70 Bruno Fernandes kaloi “Djajtë e Kuq” në avantazh me penallti. Por, Chelsea gjeti barazimin vetëm katër minuta më pas me Caicedo. Pasi debutoi në Kupën e Ligës me triumfin përballë Leicester, trajneri i përkohshëm Ruud van Nistelrooy, që do të qëndrojë në krye të stolit deri sa Amorim të nisë punën, zhvilloi edhe ndeshjen e parë në Premier League.
Me barazimin e regjistruar, United mbetet në kuotën e 12 pikëve, pasi ka fituar vetëm një nga gjashtë ndeshjet e fundit të kampionatit. Chelsea në anën tjetër u ngjit në vendin e katërt, duke barazuar me 18 pikë Arsenalin dhe Aston Villan.
Këta të fundit u mposhtën 4-1 në fushën e Tottenham. Edhe pse kaluan në avantazh me Rogers, të besuarit e Emery nuk arritën të menaxhonin ndeshjen. Tottenham përmbysi gjithçka me rrjetat e Johnson dhe Maddison dhe dygolëshin e Solanke. Spurs u kthyen te fitorja në kampionat dhe ngjiten në vendin e shtatë të renditjes me 16 pikë të grumbulluara, vetëm dy më pak se ekipet që luftojnë për zonën Champions. (A2 Televizion)