Befasi në MLS-në amerikane, Leo Messi nuk përzgjidhet si “blerja më e mirë e vitit”

Nga Erald Kodhelaj
3 Nëntor 2023, 15:56 | Futboll
Befasi në MLS-në amerikane, Leo Messi nuk përzgjidhet si

Vetëm pak orë pasi fitoi “Topin e Artë”, Lionel Messi zhgënjehet në Shtetet e Bashkuara. Ylli i Inter Miami nuk arriti të fitonte çmimin e “debutuesit”, trofeun në Major League Soccer që rezervohet për “blerjen më të mirë të vitit”.

Argjentinasi u mposht nga sulmuesi grek i Atlanta United, Giorgos Giakoumakis, i cili u shpall fitues pas 17 golave të shënuar në këtë sezon. Sipas njoftimit zyrtar të MLS çmimi është një “vlerësim për meritat e futbollistit me impaktin më të madh në kampionat gjatë sezonit të rregullt 2023”.

Edhe pse fitoi votimin e lojtarëve dhe mediave, Leo humbi prej votave të trajnerëve. Drejtuesit e stolave preferuan me mbi 46% Giakoumakis, kundrejt 34% të votave për argjentinasin.

Messi u transferua në ligën amerikane vetëm gjatë muajit korrik dhe luajti ndeshjen e parë zyrtare vetëm në fundin e muajit gusht. Ai nuk arriti të ndryshonte ecurinë e ekipit nga Florida, që mbeti jashtë fazës “play off”. Pavarësisht rezultateve jo të mira në fushë, impakti i 36-vjeçarit ka qenë i pamohueshëm.

Prezenca e Messit rriti në mënyrë të dukshme shitjen e biletave apo të abonimeve për ndeshjet e kampionatit amerikan. Rritje kishte gjithashtu edhe biznesi i fanellave, duke tërhequr vëmendje të jashtëzakonshme në çdo qytet ku skuadra nga Miami ka luajtur.

Kampioni i botës ndihmoi skuadrën të fitonte Kupën e Ligave. Në aktivitetin e ri, ku morën pjesë ekipe amerikane dhe meksikane, ai i dhuroi Inter-it trofeun e parë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos