Kombëtarja e Shqipërisë në futboll si kokë e Grupit E do të kërkojë të vulosë kualifikimi në Euro2024, më 17 nëntor në Kishinau përballë Moldavisë.
Trajneri Sylvinho pritet të ketë të plotë grupin e legjionarëve të cilëve u ka besuar në këto kualifikuese, por ajo çka i shqetëson tifozët kuqezi është gjendja e Armando Brojës.
Ylli Chelsea braktisi grumbullimin në tetor duke mos arritur të zbresë në fushë në sfidën vendimtare me Çekinë, e as në miqësoren me Bullgarinë.
Dyshime pati për krisje me Sylvinhon, por e vërteta e hidhur ishte se Broja ndiente sërish dhimbje dhe stafi mjekësor i kombëtares së bashku me ata të Chelsea e kanë ruajtur sulmuesin, edhe nga frika e dëmtimit horror që zgjati mbi 9 muaj.
Edhe pse ia doli të rikthehej në fushë pas këputjes së ligamentit, Broja ka vuajtur sërish një ngërç në gjurin e tij dhe ka qenë i padisponueshëm në tre ndeshjet e fundit për Mauricio Pochettinon.
Por tekniku argjentinas në konferencën për mediat, në prag të sfidës që Chelsea do të luajë përballë Tottenham Hotspur në Premier League të hënën, ka dhënë shpresë për rikthimin e sulmuesit.
Ai u shpreh se ka gjasa që 22-vjeçari të jetë në gjendje të luajë një pjesë në derbin e Londrës dhe të ofrojë mbështetje për Nicolas Jackson në fazën ofensive.
“Sot ne po flisnim dhe ndoshta ai do të jetë i disponueshëm për të qenë në stol për të hënën. Ai po stërvitej sot dhe është stërvitur në ditët e fundit duke bërë mirë. Shpresoj që ai të mund të përfshihet në lojë, por ende nuk është konfirmuar”, tha argjentinasi. (A2 Televizion)