Dhunë, skena të shëmtuara dhe tërësisht antisportive. Këtë të shtunë, do të luhet finalja e titullit për Copa Libertadores mes brazilianëve të Fluminense dhe argjentinasve të Boca Juniors.
Interesi ka qenë i jashtëzakonshëm nga tifozët e zjarrtë të skuadrave. Edhe pse duhet të ishte një festë pasi ky duel me zor pritej nga ata, nuk kanë munguar tensionet mes dy tifozerive.
Ultrasit e dy ekipeve njihen për rivalitetin që kanë, megjithatë këtë herë përballja e tyre kaloi çdo limit. Rreth 110 mijë tifozë të Boca Juniors mbërritën në Rio De Zhaneiro dhe sipas mediave ndërkombëtare, disa prej tyre janë sulmuar fizikisht teksa po pushonin në plazh së bashku me familjaret e tyre.
Siç raportohet mes tyre ka dhe fëmijë të lënduar por për fatin e mirë jashtë rrezikut për jetën. Policia ka ndërhyrë menjëherë për të qetësuar situatën.
Sigurisht që jo të gjithë do të hyjnë në stadiumin “Maracana”, ku luhet dhe finalja e madhe, për këtë arsye një pjesë e mirë e tyre do ta ndjekin këtë sfidë në zonat e tifozëve në plazhin e famshëm “Copacabana”. (A2 Televizion)