UEFA bëhet zyrtarisht partner i “Topit të Artë”. Konfederata europiane e futbollit firmosi marrëveshjen e bashkëpunimit me Grupin “Amaury”, grupin mediatik që zotëron “France Football” dhe “L'Equipe”.
Në njoftimin zyrtar shpjegohej se ato “do të bashkorganizojnë Topin e Artë të rinovuar prej edicionit të vitit 2024”, në rrugën drejt një vlerësimi të ri për yjet më të mëdhenj të lojës.
Edicioni i këtij viti u fitua nga Lionel Messi, që mori “Topin e Artë” të tetë në karrierë, pas triumfit në Botërorin 2022 në Katar. Ky bashkëpunim bën që UEFA të heqë çmimin “Lojtari i Vitit”, që zakonisht jepej në gusht, megjithatë do të vijojë të dorëzojë çmimet për Lojtarët më të mirë në aktivitetet që organizon.
Ceremonisë së Topit të Artë, do t'i shtohen çmimet “Trajneri më i Mirë” për meshkuj dhe femra, të cilat e rrisin në dhjetë numrin e vlerësimeve që jepen gjatë mbrëmjes gala. Një iniciativë e tillë është implementuar më parë edhe nga FIFA.
Sipas UEFA-s, Grupi “Amaury” do të mbajë kontrollin e markës “Topi i Artë” dhe sistemi i votimit do të mbetet i njëjtë. Nga ana e saj, Konfederata Europiane e Futbollit do të kujdeset për të drejtat komerciale të eventit në rang global dhe për organizimin e mbrëmjeve të përvitshme gala. (A2 Televizion)