Në stadiumin "Diego Armando Maradona", Napoli dhe Union Berlin barazuan 1-1 për grupin C. Italianët bëjnë një hap fals në shtëpi, me gjermanët që marrin pikën e parë në këtë turne.
Dueli u zhbllokua pas 39 minutave nga Politano, me pjesën e parë që u mbyll 1-0. Në pjesën e dytë ishte Fofana që në të 52 minutë barazoi ndeshjen. Me shtatë pikë, Napoli është i dyti në grup pas Real Madridit, ndërsa Berlin me një pikë është në vendin e fundit.
Ndërkohë, në "San Sebastian", Real Sociedad fitoi 3-1 kundër Benficës, në një ndeshje të dominuar nga baskët dhe të mbyllur që në minutat e para. Gjithçka do zhbllokohej në minutën e gjashtë me Merino, ndërsa në të 11 minutë ishte Oyarzabal që shënoi golin e dytë.
Në minutën e 15-të Merino shënoi për Sociedadin, por goli u anullua për prekje me dorë. Gjithsesi në të 21 minutë ishte Barrenetxea që shënoi për 3-0, para se Mendez në të 29 minutë të gabonte penalltinë.
Në pjesën e dytë Rafa Silva shkurtoi për 3-1. Tanimë Sociedad me dhjetë pikë kryeson grupin D, teksa Benfica ka zero pikë pas katër ndeshjeve duke qenë në vendin e fundit. (A2 Televizion)