Vandalizohet qendra historike e Napolit, tifozët e Union Berlin përleshen me policinë

Nga Erald Kodhelaj
8 Nëntor 2023, 15:05 | Futboll
Vandalizohet qendra historike e Napolit, tifozët e Union Berlin

Tensioni i ndeshjes ndërmjet Napolit dhe Union Berlin u parapri nga incidentet në rrugët e qytetit. Gjatë orëve të natës mes të martës dhe të mërkurës u regjistruan përplasje të shumta ndërmjet forcave të policisë dhe tifozëve të Union Berlin.

Rreth 2 mijë mbështetësit e skuadrës gjermane, të cilët kishin udhëtuar në Napoli, lëvizën në qendrën e qytetit, duke shkaktuar akte vandale dhe disa episode dhune.

Kjo bëri që përleshjet me forcat e rendit të ishin të pashmangshme.

Në qendrën historike të qytetit, tifozët e Union Berlin hodhën tymuese dhe lëndë plasëse drejt mjeteve të blinduara të policisë. Forcat e rendit ishin angazhuar me numër të lartë, për të evituar edhe përplasje të mundshme me tifozët ultras të Napolit.

Pasojat ishin makina të dëmtuara, vitrina të dyqaneve të thyera dhe rrugë të bllokuara. Gjatë përplasjeve me tifozët gjermanë, u lënduan disa policë.


Gjatë gueriljes urbane u arrestuan të paktën 11 ultras, teksa rendi publik u rivendos me vështirësi. Tashmë objektivi është që incidentet të mos përsëriten përpara ndeshjes apo në stadiumin Maradona. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos