Luftë guerile para Champions, një francez goditet me thikë në përleshjen e tifozëve të Milan dhe PSG

Nga Erald Kodhelaj
7 Nëntor 2023, 10:24 | Futboll

Luftë guerile në rrugët e Milanos, përpara duelit të Champions ndërmjet kuqezinjve dhe Paris Saint Germain. Rreth 100 tifozë të “Djallit”, të veshur të gjithë me të zeza, sulmuan mbështetësit francezë, të cilët ndodheshin në lokale në zonën e Naviljit.

Dhuna u regjistrua pak pas mesnatës dhe ishte e planifikuar nga tifozët e Milanit.

Mësymja ishte një lloj hakmarrje për incidentet e kaluara në Paris, përpara dhe gjatë ndeshjes.

Nga prita e organizuar nga tifozët italianë, mbetën të lënduar disa francezë, ndërsa njëri prej tyre u godit dy herë me thikë dhe shkoi në spital jashtë rrezikut për jetën. I plagosur mbeti gjithashtu edhe një agjent i forcave të policisë.

Përveç frikës dhe pasigurisë së krijuar, përleshjet lanë pas lokale të shkatërruara, karrige, tavolina dhe xhama të thyer. Policia e Milanos nisi punën për identifikimin e shkaktarëve, por për momentin nuk ka njoftuar për të arrestuar.

Ngjarjet rritën edhe më tepër tensionin përpara sfidës Milan-Paris Saint Germain.

Për kuqezinjtë kjo është një finale për të synuar kualifikimin nga faza e grupeve, teksa prej disa ditësh policia e ka cilësuar një ndeshje me rrezikshmëri të lartë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos