Në Spanjë, futbollistë të famshëm si Cristiano Ronaldo, Sergio Ramos, Alvaro Morata e Karim Benzema kanë rënë pre e grabitësve, që kanë hyrë në rezidencat e tyre, teksa yjet e La Ligas ishin të angazhuar në fushën e lojës.
Në disa prej rasteve grabitësit kanë qenë shtetas shqiptarë, të cilët veprojnë në zonat luksoze të Marbella, Madrid, Valencia e Barcelonës.
Pikërisht njëri prej “skifterëve” shqiptarë më në zë, i cili njihet me nofkën “Alberto” është rrëfyer në një intervistë për gazetarin Carlos Quílez, në podcastin 'Sumario Abierto' të gazetës spanjolle El Español.
Fillimisht grabitësi shqiptar, i cili pretendon se kontrollon një rrjet prej 100 “skifterësh” ka rrëfyer grabitjet në shtëpitë e Benzema, Ronaldos dhe Johan Cruyff.
“Ne e grabitëm Benzemën në rastin kur ai nuk na kapi. Ne gjithashtu tentuam të vidhnim shtëpinë e Cristianos në Madeira, por plaçka nuk ishte joshëse", tha Alberto.
Më pas ka treguar se në vitin 2012, hynë në shtëpinë e Cruyff, pa e ditur se ishte e tija dhe se dolën prej aty me vetëm 20.000 euro sende të vjedhura. Sapo u futën brenda, vunë re fotot e tij me Dennis Bergkamp dhe arritën të kuptonin se me kë kishin të bënin.
Më pas ai ka treguar sesi i është shmangur tundimit për të vjedhur shtëpinë e tetë herë fituesit të “Topit të Artë”, Lionel Messi.
Kreu i bandës së grabitësve nga Shqipëria dhe Kosova, i cili aktualisht është në arrati tha se shmangu “pleshtin” argjentinas nga lista e tij sepse kishte shumë respekt për të.
“Rreth një vit më parë të tjerë më ofruan (për ta vjedhur) shtëpinë e prindërve të tij, të familjes së Messit. Messi ishte në Paris në atë moment. Shkova për ta parë, sepse e njoh shumë mirë zonën. Nuk doja për shkak të respektit për Messin. Nuk e kam bërë pasi kam respekt ndaj tij. Pikë”.
Më tej, skifteri shqiptar ka zbuluar se ka parandaluar edhe të tjerë që ta grabisnin rezidencën e Messit.
“Kam ndaluar disa herë njerëzit që donin të grabisnin shtëpinë e Messit, njerëzit që më kërkonin mendim, por nuk mund t'i ndaloj të gjithë... Për aq sa kam mundur t'i ndaloj jam shumë krenar.” (A2 Televizion)