Dueli për kreun, Inter pret Napolin në San Siro të dielën

Nga Dea Kozma
9 Nëntor 2024, 11:41 | Futboll

Dueli për kreun, Inter pret Napolin në San Siro të dielën

Të dielën në mbrëmje, vëmendja është në San Siro, aty ku Inter do të presë Napolin në një sfidë që garanton lojë të bukur dhe emocione të mëdha. Zikaltërit kërkojnë të parakalojnë napoletanët dhe të marrin të vetëm kreun, ndërsa djemtë e Contes duan të ruajnë vendin e parë dhe pse jo të thellojnë në 4 pikë diferencën nga interistët e vendit të dytë.

Inter-Napoli nuk do të jetë një ndeshje si të tjerat dhe për trajnerin Antonio Conte që ka qenë pjesë e zikaltërve për dy sezone, me të cilët ka arritur të shpallet madje edhe kampion. Për të mos harruar këtu dhe Romelu Lukakun që rikthehet për herë të dytë si kundërshtar i Interit në San Siro. Nëse sezonin e kaluar, kur luante me Romën, u prit me një gamë të madhe ngacmimesh, këtë herë shpreson që historia të jetë ndryshe, shkruan A2 CNN.

Kjo ndeshje peshon shumë për Napolin, jo vetëm për kreun, por ekipi i Contes duhet të tregojë se e ka harruar atë disfatë turpëruese 3-0 kundër Atalantës në stadiumin “Maradona”. Nga ana tjetër, Inter ka rigjetur formën më të mirë. Këtë po e tregon jo vetëm në Serinë A, por edhe në Champions, ku fitoi kundër Arsenalit këtë mesjavë.

Inzaghi përballë Contes. Dy trajnerë fitues që gjithmonë zbresin skuadrat në fushë me objektivin e fitores. Conte po punon akoma shumë me Napolin, në parimet e tij në lojë, intensitetin dhe pse jo kërkon të rikthejë dhe një herë emocionet e dy viteve më parë, kur Napoli fitoi “Scudetto”-n.

Sa i përket organikës së dy skuadrave, te Inter i vetmi që mungon është Carlos Augusto, ndërsa napoletanët kanë në dyshim Lobotka.

Supersfida Inter-Napoli do të luhet këtë të dielë, në orën 20:45.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos