Sfidat me Çekinë dhe Ukrainën, Silvinjo zbardh dilemat për dëmtimet dhe formacionin

Nga Erald Kodhelaj
8 Nëntor 2024, 15:09 | Futboll

Për herë të parë në afro dy vjet, prej momentit kur u ul në stolin kuqezi, Sylvinho ka grumbulluar 28 futbollistë në Kombëtare. Arsyet e kësaj zgjedhje, trajneri i artikuloi në konferencën për shtyp, pak minuta pas publikimit të listës.

“Kemi marrë 28 lojtarë. Arsyet janë të thjeshta. Pesë futbollistë i kemi me kartonë të verdhë dhe rrezikojnë njërën ndeshje. Në listë kemi edhe tre futbollistë që duhet ti vlerësojmë. Kumbulla, Manaj por edhe Bare kanë qenë të dëmtuar. Do të konsultohemi me mjekët për të vlerësuar nëse mund të luajnë. I kemi marrë të gjithë sepse jemi në shtëpi dhe nuk duhet të lëvizim shumë.”

Me dy ndeshjet e fundit të Nations League në shtëpi, objektivi mbetet fitimi i grupit. Tifozët në stadiumin e mbushur me kapacitet të plotë, do të jenë arma më tepër e Kombëtares.

“Në fund të edicionit mund të jemi të parët në Grupin B1 të Nations League. Kemi marrë 6pikë dhe ndeshjet kanë qenë të vështira, përballë kundërshtarëve të fort. Të katërta ekipet kanë luajtur në Europian, kanë futbollistë cilësorë, që luajnë në ligat më të rëndësishme. Gjithçka është e hapur, por ne kemi avantazhin që i luajmë të dyja ndeshjet në shtëpi. Na presin 2 ndeshje të vështira, por ne do të japim më të mirën. Do të provojmë të bëjmë mirë me zemër dhe shpirt. Për më tepër që kemi mbështetjen e tifozëve tanë.”

Bazuar në gjendjen e Manajt dhe pezullimit të Dakut për sfidën me Çekinë, alternativat në sulm nuk mungojnë. Forma e Muçit dhe Uzunit jep garanci për kuqezinjtë.

“Fakti që disa lojtarë si rasti i Muçit po shkëlqejnë është një dhimbje koke pozitive përzgjedhjet e trajnerëve. Askush nuk e di që kam parë Muçin dhe asnjë nuk e di sesa e vështirë është të ambientohesh në një klub tjetër. Duhet të shohim nëse Manaj mund të luajë, ndërsa Daku është i pezulluar për ndeshjen e parë. Kemi disa alternativa për qendër-sulmues, mund të alternojmë dhe të shfrytëzojmë karakteristikat e ndryshme që kanë Muçi dhe Uzuni.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos